Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sahit Jashari është varrosur të premten me nderime ushtarake. Jashari, i cili ka vdekur dje në moshën 61 vjeçare është varrosur në Prekaz në Ditën e Çlirimit të Kosovës. Në ceremoninë mortore kanë marrë pjesë pjesë mijëra qytetarë dhe bashkëluftëtarë të tij.
Sahit Hamit Jashari ishte veprimtar i çështjes kombëtare shqiptare dhe një nga luftëtarët e hershëm të Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës. Ai ka lindur dhe është rritur në fshatin Prekaz të Drenicës, një vend që më vonë do të bëhej simbol i rezistencës dhe luftës për lirinë e Kosovës.
Që në vitet e para të organizimit të rezistencës së armatosur kundër regjimit serb, Sahit Jashari ishte përfshirë në aktivitetet patriotike dhe në organizimin e grupeve të para të luftëtarëve në rajonin e Drenicës. Ai ka bashkëpunuar ngushtë me luftëtarët e parë të UÇK-së dhe ishte pjesë e përpjekjeve për forcimin e rezistencës çlirimtare në Kosovë.
Gjatë luftës së Kosovës (1998-1999), Sahit Jashari ka dhënë kontribut të rëndësishëm në radhët e UÇK-së. Bashkëluftëtarët e kujtojnë si një njeri të përkushtuar, trim dhe të vendosur për realizimin e idealit të lirisë. Për shkak të veprimtarisë së tij, ai konsiderohet një nga figurat e hershme të luftës çlirimtare në Drenicë dhe shok i ngushtë i Adem Jasharit, komandantit legjendar të UÇK-së.
Pas luftës, ai ka vazhduar të gëzonte respekt të madh në mesin e veteranëve dhe qytetarëve të Kosovës për kontributin e tij në çlirimin e vendit. Emri i tij përmendet me nderim si pjesë e brezit të luftëtarëve që kontribuuan në rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.
