AKTUALE

Nik Gjeloshaj pas Kuvendit të Bashkimit: “Sot bashkuam atë që kurrë nuk është dashur të ndahej”

Nik Gjeloshaj, kryetari i parë i Forumit Shqiptar të bashkuar, ka shprehur mirënjohje dhe përgjegjësi të madhe pas marrjes së këtij posti, duke e cilësuar bashkimin e forcave politike shqiptare si përmbushjen e një prej idealeve më të rëndësishme të jetës së tij politike.

Në një mesazh të publikuar me këtë rast, Gjeloshaj ka rikujtuar rrugëtimin politik, sfidat dhe sakrificat që kanë paraprirë këtë bashkim, duke veçuar arritje si themelimi i Komunës së Tuzit, fuqizimi i përfaqësimit politik të shqiptarëve dhe ngritja e përmendores së Skënderbeut në Tuz.

Ai ka theksuar se bashkimi i politikës shqiptare përfaqëson shumë më tepër se një arritje politike, pasi, sipas tij, është përmbushja e një ideali për të cilin ka punuar për shumë vite.

Gjeloshaj ka shprehur mirënjohje të veçantë edhe për diasporën shqiptare, të cilën e ka cilësuar si një ndër themeluesit e Forumit, si dhe për bashkëpunëtorët, familjen dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë rrugëtimit të tij politik.

Duke folur për rëndësinë e këtij bashkimi, ai ka nënvizuar se qëllimi i tij nuk është të jetë kundër askujt, por të shërbejë si garanci për një përfaqësim më të fuqishëm të shqiptarëve dhe për një Mal të Zi më të drejtë e më evropian.

“Sot bashkuam atë që kurrë nuk është dashur të ndahej”, është një nga mesazhet kryesore të Gjeloshajt, i cili ka theksuar se brezat e ardhshëm nuk duhet t’i kujtojnë politikanët për postet që kanë mbajtur, por për të drejtat që kanë fituar, veprat që kanë lënë pas dhe ndarjet që kanë arritur të kapërcejnë.

Në përfundim të mesazhit të tij, kryetari i parë i Forumit Shqiptar ka përcjellë një thirrje për ruajtjen e unitetit dhe përgjegjësisë ndaj së ardhmes së brezave të rinj.

“Asnjë individ nuk është më i madh se populli, as se ideali që na bashkoi”, ka përfunduar Gjeloshaj, duke e mbyllur mesazhin me sloganin: “Bashkimi na bën më të fortë!”

Ja postimi plotë:

Sot, kur m’u dha nderi të jem kryetari i parë i Forumit Shqiptar të bashkuar, më shumë se krenari ndiej mirënjohje dhe përgjegjësi.

Rrugëtimi ynë nuk ka qenë as i lehtë, as i shkurtër.
Ka pasur sakrifica, vendime të vështira e sfida të shumta, por kurrë nuk kemi hequr dorë nga ajo që kemi besuar. Arritëm ta bëjmë Tuzin komunë më vete, ta fuqizojmë zërin politik të shqiptarëve dhe të fitojmë të drejtën për të vendosur vetë për të ardhmen tonë.

Sot u bë realitet edhe ideali im më i madh politik. Pas themelimit të Komunës së Tuzit dhe ngritjes së përmendores së Skënderbeut në Tuz, sot u përmbush edhe një tjetër synim madhor: bashkimi i politikës shqiptare.
Për mua, kjo është shumë më tepër se një arritje politike.
Është përmbushja e një ëndrre së cilës i kam kushtuar vite të jetës sime.

Mirënjohje të veçantë kam për diasporën tonë, e cila ishte ndër themeluesit e Forumit.

Faleminderit bashkëpunëtorëve të mi, familjes sime dhe të gjithë atyre që besuan në ne edhe në ditët më të vështira. Pa ta, nuk do t’i kishim arritur fitoret tona.

Sot bashkuam atë që kurrë nuk është dashur të ndahej.
Bashkimi ynë nuk është kërcënim për askënd, por garanci për shqiptarë më të fuqishëm dhe për një Mal të Zi më të drejtë e më evropian.

Nuk dua që gjeneratat tona të mbahen mend për postet që kemi pasur, por për të drejtat që kemi fituar, veprat që kemi lënë pas dhe ndarjet që kemi kapërcyer.

Të parët tanë e ruajtën identitetin tonë. Detyra jonë është ta ruajmë bashkimin dhe t’u sigurojmë një të ardhme më të mirë fëmijëve tanë.

Asnjë individ nuk është më i madh se populli, as se ideali që na bashkoi.

Bashkimi na bën më të fortë!

NGJ

Banner

Related posts

VLEN: BDI e përdori Marrëveshjen e Ohrit si bankomat personal

Gjyla Halili

Memedi: Të jeni të sigurtë! ASH nuk bashkohet me tradhëtarët si Besa, Alternativa apo Mexhitin…

Gjyla Halili

Yllka Lezo për median europiane:Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë

Gjyla Halili