Juxhina Gjoni, Forumi i Dialogut Politik
Nga të gjitha debatet që kanë shoqëruar tranzicionin shqiptar, pak prej tyre prekin njëkohësisht sigurinë kombëtare, sovranitetin territorial, mjedisin dhe transparencën e qeverisjes si çështja e zhvillimit të planifikuar në Sazan dhe Nartë.
Askush nuk mund të jetë kundër investimeve të huaja. Shqipëria ka nevojë për kapital, për vende pune, për zhvillim ekonomik dhe për partneritete strategjike me aleatët tanë perëndimorë. Investimet amerikane janë të mirëpritura dhe mbeten një nga garancitë më të forta për modernizimin ekonomik të vendit. Por pikërisht sepse investimet janë të rëndësishme, ato duhet të jenë transparente, të ligjshme dhe në përputhje me interesin kombëtar.
Debati nuk është nëse duhet apo jo të ketë investime amerikane. Debati është: a mund të jepet një territor me rëndësi strategjike kombëtare pa një diskutim të gjerë publik, pa transparencë të plotë mbi pronësinë, financimin dhe implikimet afatgjata për sigurinë e vendit?
Ky debat nuk ka të bëjë vetëm me një resort, me një investitor apo me një projekt të caktuar. Ai ka të bëjë me mënyrën sesi një shtet i vogël, i vendosur në një nga rajonet më të ndjeshme gjeopolitike të Europës, vendos të administrojë pasuritë e veta strategjike në një kohë kur siguria po rikthehet në qendër të politikës ndërkombëtare. Ndaj Sazani nuk është thjesht një ishull dhe Narta nuk është thjesht një lagunë. Ato janë pjesë e memories strategjike, mjedisore dhe historike të Shqipërisë.
Sazani në zemër të Mesdheut si Arkitektura e mbrojtjes që po zhduket
Ishulli i Sazanit nuk është thjesht një destinacion turistik.
Ai ndodhet në një nga pozicionet më të rëndësishme gjeostrategjike të Mesdheut, përballë korridoreve detare që lidhin Europën me Afrikën e Veriut, Lindjen e Mesme dhe Kanalin e Suezit. Nga pikëpamja ushtarake dhe gjeopolitike, Sazani kontrollon hyrjen në Gjirin e Vlorës dhe ndodhet në afërsi të rrugëve detare që lidhin Italinë, Greqinë, Qipron dhe hapësirën më të gjerë mesdhetare.
Në një kohë kur Mesdheu po rikthehet si arenë rivalitetesh strategjike, ku konfliktet në Lindjen e Mesme, tensionet në Detin e Kuq dhe lufta në Ukrainë kanë rikthyer logjikën e sigurisë dhe kontrollit të korridoreve detare, pyetja që duhet bërë është e thjeshtë:
A mund të konsiderohet një ishull me këtë rëndësi vetëm si një aset turistik? Përtej simbolikës historike, Sazani përmban një trashëgimi të tërë infrastrukture ushtarake të ndërtuar gjatë Luftës së Ftohtë. Shumë prej këtyre objekteve u ndërtuan për t’i rezistuar bombardimeve intensive dhe efekteve të armëve të shkatërrimit në masë. Pavarësisht origjinës ideologjike të sistemit që i ndërtoi, ato përfaqësojnë një kapacitet fizik që sot nuk mund të riprodhohet lehtësisht.
Pyetja nuk është historike. Pyetja është strategjike.
Në një kohë kur Europa po riarmatoset, kur NATO po investon miliarda në reziliencën e infrastrukturës kritike, mbrojtjen civile, mobilitetin ushtarak dhe sigurinë e korridoreve logjistike, Shqipëria duhet të vlerësojë me kujdes nëse po forcon apo po dobëson pozicionin e saj strategjik afatgjatë. She kur pothuajse të gjitha shtetet po rikthejnë konceptin e mbrojtjes totale, a është e mençur që Shqipëria të heqë dorë nga infrastruktura që mund të ketë vlerë strategjike në të ardhmen?
Deterrenca moderne nuk ndërtohet vetëm me armë. Ajo ndërtohet me reziliencë. Dhe rezilienca nënkupton ruajtjen e kapaciteteve kritike kombëtare.
Paradoksi është se ndërsa aleatët tanë po investojnë për të forcuar aftësinë e mbijetesës së shteteve në rast krizash të mëdha, Shqipëria duket se po redukton hapësirën e saj strategjike dhe po dobëson asetet mbi të cilat mund të ndërtohej rezilienca e së nesërmes. Për ta kuptuar më mirë debatin mjafton një pyetje. Po sikur nesër të propozohej privatizimi i Zall-Herrit dhe të propozohej kalimi në përdorim privat i bazave të tjera ushtarake aktive apo rezervë? A do ta konsideronim këtë një çështje të zakonshme investimi? Nëse përgjigjja është jo, atëherë dhe standardi për Sazanin nuk duhet të jetë ndryshe. Çështja nuk lidhet me emrin e investitorit. Por lidhet me natyrën e asetit. Disa prona janë pjesë e arkitekturës së sigurisë kombëtare.
Sovraniteti nuk është monedhë shkëmbimi
Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë jetike për Shqipërinë.
Por miqësia strategjike ndërtohet mbi institucione të forta dhe interesa të përbashkëta, jo mbi marrëveshje të paqarta apo mbi marrëdhënie personale me figura politike që sot janë në pushtet dhe nesër mund të mos jenë. Sovraniteti territorial nuk mund të trajtohet si një bono thesari që përdoret për të blerë favore politike afatshkurtra.
Interesi kombëtar duhet të jetë më i qëndrueshëm se ciklet elektorale në Tiranë apo në Uashington. Asetet strategjike nuk janë pronë e qeverive të radhës. Ato janë trashëgimi kombëtare dhe përgjegjësi ndaj brezave që vijnë.
Kush e mbron interesin kombëtar? Shqipëria është anëtare e NATO-s. Shqipëria aspiron standardet më të larta euro-atlantike. Por standardet euro-atlantike nuk maten vetëm me flamuj, samite dhe deklarata politike. Ato maten me integritet institucional. Maten me transparencën e vendimmarrjes. Maten me aftësinë për t’i thënë “jo” edhe investimit më të madh kur interesi kombëtar e kërkon. Patriotizmi nuk është slogan por është administrim i përgjegjshëm i pasurisë kombëtare. Dhe nuk ka pasuri më të rëndësishme se territori, mjedisi dhe asetet strategjike të mbrojtjes. Nëse këto humbasin, ato nuk rikthehen më. Paratë mund të investohen sërish. Besimi publik jo gjithmonë.
Në Shqipëri mungon transparenca? Parimi më i rëndësishëm i qeverisjes moderne është i thjeshtë: “Follow the money.” Kush janë përfituesit fundorë? Kush i financon projektet apo i zotëron realisht kompanitë?
Këto nuk janë pyetje anti-investim. Janë pyetje pro-shtet. Sa më i madh projekti, aq më e madhe duhet të jetë transparenca. Nëse gjithçka është në rregull, atëherë transparenca është aleati më i mirë i investitorit. Në Shqipëri dëgjojmë prej vitesh partnerët tanë euro-atlantikë të na flasin për transparencën, konfliktin e interesit, pronësinë përfituese dhe luftën kundër korrupsionit. Ironikisht, sa më strategjik bëhet një projekt, aq më e vështirë duket të kuptohet se kush qëndron realisht pas tij. Nëse qytetarët nuk arrijnë të ndjekin gjurmën e parave, atëherë problemi nuk është mungesa e informacionit. Problemi është mungesa e vullnetit për ta bërë informacionin publik.
Korrupsioni si model qeverisjeje
Problemi nuk është vetëm Sazani. Problemi është modeli.
Për më shumë se një dekadë, shqiptarëve u është kërkuar të besojnë se çdo vendim i diskutueshëm është në emër të zhvillimit, çdo koncesion është në emër të modernizimit, çdo partneritet është në emër të progresit. Por ndërkohë, pasuria publike është tkurrur, besimi tek institucionet është shembur dhe transparenca është kthyer në përjashtim e jo në rregull.
Kur qytetarët nuk dinë kush janë pronarët fundorë të kompanive që marrin në përdorim asetet strategjike të vendit, kur vendimet merren pas dyerve të mbyllura, kur dokumentet bëhen publike vetëm pas presionit të medias dhe organizatave të shoqërisë civile, atëherë nuk kemi më të bëjmë me mungesë komunikimi.
Kemi të bëjmë me një krizë të qeverisjes demokratike.
Në çdo demokraci funksionale, shteti ekziston për të mbrojtur interesin publik nga interesat private. Në Shqipëri, shpesh krijohet përshtypja e kundërt: se interesi publik duhet të justifikojë vendimet e marra paraprakisht nga interesa private. Kjo është arsyeja pse çdo projekt i madh nuk shoqërohet me entuziazëm, por me dyshim.
Jo sepse shqiptarët janë kundër zhvillimit. Por sepse shqiptarët kanë parë shumë herë sesi zhvillimi është përdorur si justifikim për privatizimin e fitimeve dhe socializimin e kostove publike. Publiku ka të drejtë të dijë:
Kush e ka miratuar vlerësimin e ndikimit në mjedis?
Cilat institucione kanë verifikuar dokumentacionin?
Duhen parë konkluzionet qw ka nxjerrë Kontrolli i Lartë i Shtetit nw kontrollet rutin nw Ministrinw e Mjedisit nëse I ka kryer auditimet e plota mbi aspektet financiare, mjedisore dhe ligjore të projektit. Nga ministri që firmos vendimin përfundimtar deri te specialisti që verifikon dokumentet teknike, zinxhiri i përgjegjësisë duhet të jetë i qartë. Sepse kur askush nuk mban përgjegjësi, përgjegjësia zhduket.
Kur shteti pushon së qeni arbitër
Një nga simptomat më të rrezikshme të korrupsionit sistemik është momenti kur qytetari nuk e sheh më shtetin si arbitër neutral. Kur një banor i Zvernecit, i Nartës, I Rrjollit, apo i çdo zone tjetër të Shqipërisë beson se nuk mund të fitojë përballë interesave të mëdha ekonomike, atëherë dëmi është shumë më i madh sesa humbja e një prone. Mjedisi është zëri i natyrës, turizmi është zëri i zhvillimit. Kur të dy flasin përmes të njëjtit ministër, ekziston rreziku që mbrojtësi dhe zhvilluesi të mos jenë më arbitra të njëri-tjetrit, por pjesë e të njëjtit vendim politik arbitrar. Atëherë humbet besimi te vetë republika. Sepse shteti nuk matet nga mënyra sesi trajton të fuqishmit. Shteti matet nga mënyra sesi mbron qytetarin e zakonshëm. Nëse qytetari ndjen se ligji është i fortë vetëm për të dobëtit dhe elastik për të fortët, atëherë kemi hyrë në territorin e oligarkisë dhe jo të demokracisë.
Nga “War Dogs” te infrastruktura strategjike?
Shqipëria ka kaluar tashmë periudha të vështira në raport me perceptimin ndërkombëtar mbi menaxhimin e armëve, municioneve dhe aseteve të sigurisë.
Pikërisht për këtë arsye, çdo vendim që prek infrastrukturën strategjike duhet të trajtohet me kujdes të jashtëzakonshëm. Pas precedentëve të diskutueshëm që kanë shoqëruar menaxhimin e aseteve strategjike si Pashalimani, qeveria e vendosi veten në pozitë të vështirë përballë NATO-s me premtime dhe projekte të pambajtura në Limion dhe Porto Romano, sot duket se po diskutojmë edhe fatin e aseteve të tjera strategjike. Një shtet që humbet kujtesën strategjike rrezikon të humbasë edhe besueshmërinë strategjike. Një shtet serioz nuk pyet vetëm sa para do të sjellë një investim por edhe çfarë humbim në këmbim dhe a mund të rikuperohet ajo humbje nesër.
Sot Shqipwtaret nw intervistwn e KM u prezantuan me luftwn hibride. “Luftë hibride” zakonisht nënkupton përdorimin e kombinuar të mjeteve ushtarake dhe joushtarake – dezinformim, presion ekonomik, sulme kibernetike, instrumentalizim të migracionit, ndikim politik, korrupsion strategjik, etj. – nga një aktor shtetëror ose jo-shtetëror për të dobësuar një kundërshtar. Ekziston një luftë që shqiptarët e ndiejnë çdo ditë, por që rrallë përmendet në strategjitë zyrtare të sigurisë. Ajo nuk zhvillohet me tanke, raketa apo ushtri, por përmes largimit masiv të qytetarëve, tkurrjes së pjesëmarrjes publike dhe dobësimit të mendimit kritik. Kur brezat më aktivë, më të arsimuar dhe më sipërmarrës largohen, vendi nuk humbet vetëm kapital njerëzor; humbet aftësinë për të kërkuar llogari, për të mbrojtur interesin publik dhe për të ushtruar kontroll demokratik mbi pushtetin. Në këtë kuptim, emigracioni nuk është vetëm një pasojë e krizës së qeverisjes, por shndërrohet gradualisht në mekanizmin përmes të cilit zvogëlohet hapësira qytetare dhe dobësohet rezistenca demokratike e shoqërisë.
Historia shqiptare e njeh mirë këtë fenomen. Regjimi komunist e kuptoi se kontrolli i shoqërisë fillon me fshirjen e kujtesës qytetare dhe neutralizimin e mendimit kritik. Sot metodat janë të tjera, por pyetja mbetet e njëjtë: çfarë ndodh me një komb kur largohen pikërisht ata qytetarë që kanë kapacitetin të pyesin, të kundërshtojnë dhe të kërkojnë llogari? Siguria kombëtare nuk matet vetëm me territorin, bazat ushtarake apo asetet strategjike; ajo matet edhe me aftësinë e një shoqërie për të ruajtur qytetarët e saj aktivë. Sepse një vend që humbet territor humbet një pjesë të vetes, por një vend që humbet qytetarët e tij rrezikon të humbasë të ardhmen.
Megjithatë, historia nuk ecën gjithmonë sipas planeve të pushtetit. Nëse ka një mësim që japin zhvillimet e fundit, ai është se rinia shqiptare nuk është zhdukur si forcë politike dhe qytetare. Prandaj, ndoshta lajmi më i rëndësishëm nuk është se sa shqiptarë janë larguar, por se sa prej tyre ende refuzojnë të heqin dorë nga e drejta për të folur, për të kundërshtuar dhe për të kërkuar llogari.
Një qeveri në muzgun e saj politik
Historia politike na mëson se qeveritë në fund të ciklit të tyre bëhen më pak të kujdesshme me trashëgiminë që lënë pas. Kur mungon vizioni afatgjatë, vendin e tij e zë urgjenca politike. Kur mungon përgjegjësia ndaj brezave që vijnë, vendin e saj e zë logjika e përfitimit të menjëhershëm. Pikërisht në këto momente, shoqëria duhet të jetë më vigjilente. Sepse pasuritë strategjike të vendit nuk i përkasin asnjë qeverie. Ato nuk i përkasin asnjë partie. Ato nuk i përkasin asnjë kryeministri. Ato i përkasin kombit. Dhe kombi ka të drejtë të kërkojë përgjigje.
Korrupsioni nuk është vetëm problem moral. Ai është problem sigurie kombëtare. Sepse kur institucionet humbin besimin e qytetarëve, dobësohet vetë aftësia e shtetit për të mbrojtur interesat e tij. Shqipwtaret janw pro investimeve të huaja. Shqipëria ka nevojë për investime të huaja dhe veçanërisht për investime amerikane. Por Shqipëria meriton investime të rregullta, transparente dhe në përputhje me ligjin që respektojnë mjedisin, sovranitetin dhe interesin kombëtar. Meriton investime që ndërtojnë besim, jo dyshime. Sepse në fund të fundit, debati nuk është për një resort. Debati është për mënyrën se si një shtet trajton pasuritë e tij strategjike. Shqipëria nuk rrezikon të humbasë vetëm një ishull apo një lagunë. Shqipëria rrezikon të humbasë diçka shumë më të madhe: bindjen se interesi kombëtar është ende mbi interesin privat. Dhe kur një komb humbet këtë bindje, dëmi është shumë më i madh se çdo investim që mund të ndërtohet mbi tokën e tij.
Historia do të gjykojë nëse Sazani ishte një mundësi zhvillimi apo një mundësi e humbur për të mbrojtur interesin kombëtar. Por një gjë është e sigurt: pasuritë strategjike të një vendi mund të ndërtohen për dekada, ndërsa mund të humbasin brenda një vendimi.
