Me emocione, letërsi dhe kulturë u shënua mbrëmja e hapjes së Panairit të Librit në Tuz, ku një vend të veçantë zuri promovimi dhe diskutimi rreth veprës “Brenga” të autorit Pashko Camaj.
Në këtë ngjarje morën pjesë organizatorë, autorë, dashamirës të librit dhe të kulturës, duke e kthyer mbrëmjen në një takim të veçantë me letërsinë dhe krijimtarinë.
Pashko Camaj shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë ata që kontribuuan në organizimin e kësaj mbrëmjeje, si dhe për pjesëmarrësit dhe dashamirësit e librit që e bënë promovimin e “Brengës” një përvojë të veçantë.
“Një mbrëmje plot emocione, letërsi, kulturë dhe, mbi të gjitha, vlera që na bashkojnë”, u shpreh Camaj, duke e cilësuar këtë aktivitet edhe si një rikthim të bukur në rrënjët e tij dhe në vendlindjen e dashur.
Për autorin, prania në Tuz kishte një dimension të veçantë emocional, pasi përtej promovimit të veprës, ajo përfaqësonte një lidhje të drejtpërdrejtë me vendlindjen, kujtesën dhe rrënjët.
Mbrëmja e Panairit të Librit në Tuz u shndërrua kështu në një festë të librit, kulturës dhe identitetit, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë e letërsisë si urë që bashkon njerëzit, kujtimet dhe brezat.
Ja postimi plot:
Një falënderim i përzemërt për organizatorët, pjesëmarrësit dhe të gjithë dashamirësit e librit, që e bënë mbrëmjen e hapjes së Panairit të Librit në Tuz, si dhe promovimin e diskutimin e “Brengës” sime, kaq të veçantë.
Një mbrëmje plot emocione, letërsi, kulturë dhe, mbi të gjitha, vlera që na bashkojnë.
Faleminderit të gjithëve për këtë natë të paharrueshme; një rikthim i bukur në rrënjët e mia, në vendlindjen time të dashur.






