Propozimi i Partisë Socialiste për Reformën e re Administrativo-Territoriale ka shkaktuar reagime të forta në disa zona të vendit.
Më 31 korrik 2026, banorë të Dimalit, Divjakës, Klosit, Prrenjasit dhe Memaliajt dolën në protesta kundër bashkimit të bashkive të tyre me njësi të tjera vendore. Ndërsa një ditë më herët, më 30 korrik, protesta u zhvillua në Poliçan.
Në Dimal, qytetarët kundërshtuan propozimin që bashkia të shkrihet dhe t’i bashkohet Beratit. Banorët dorëzuan edhe një peticion, duke kërkuar që Dimal të mbetet bashki më vete.
Ata argumentojnë se ndryshimi do të ndikojë në shërbimet publike dhe përfaqësimin e komunitetit.
Në Divjakë, banorët dhe kryebashkiaku Josif Gorreja protestuan kundër bashkimit me Lushnjën. Ata u shprehën se humbja e statusit të bashkisë do të largojë institucionet nga qytetarët dhe do të dëmtojë zhvillimin e zonës.
Në Klos, qytetarët dhe administrata e bashkisë kundërshtuan bashkimin me Matin.
Banorët kanë deklaruar se duan ruajtjen e bashkisë së tyre, duke argumentuar se distancat dhe problemet e shërbimeve do të rriten pas ndryshimit territorial.
Në Prrenjas, banorët dolën kundër bashkimit me Librazhdin, duke kërkuar që qyteti të ruajë autonominë vendore dhe institucionet lokale.
Në Memaliaj, protesta u zhvillua më 31 korrik kundër propozimit për bashkimin me Tepelenën.
Banorët kundërshtuan humbjen e bashkisë, ndërsa kryebashkiaku Albert Malaj e cilësoi vendimin si një kërcënim për identitetin dhe zhvillimin e zonës.
Ai deklaroi se argumentet e paraqitura në dëgjesa nuk janë marrë parasysh dhe kërkoi reagim nga komuniteti.
Ndërkohë, në Poliçan, një ditë më parë, qytetarët protestuan kundër bashkimit me Beratin, ndërsa pati edhe djegie simbolike të teserave të Partisë Socialiste nga disa protestues.
Drafti i PS për Reformën Territoriale parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, me shkrirjen e disa njësive vendore, mes tyre Dimal, Divjakë, Klos, Memaliaj, Prrenjas dhe Poliçan.
