Kryeministri Edi Rama është shprehur se një udhëheqës që ka një qëllim të fortë, me çdo çmim i shkon qëllimit të tij deri në fund, duke mos u ndikuar nga faktorë të jashtëm. Nga mbledhja e zgjeruar e Grupit Parlamentar të PS, Rama tha se nuk mund të realizohet anëtarësimi i Shqipërisë në BE, nëse qeveria merr drejtim nga fryn era.
“Kur ka momentet të tilla, kam kënaqësi të kujtojë një hollësi te Homeri, ‘kur Odiseu afrohet pranë sirenave dhe refuzon që t’i dëgjojë’. Përkundrazi, ai insiston që t’i dëgjojë, sepse vetëm ai që i dëgjon kupton sesa i madh është tundimi. Ai bën edhe një gjë tjetër, lidhet shumë fortë te direku i anijes, jo se s’ka besim te vetja, por se ai nuk e negocion destinacionin. Dhe atë që vetja mund t’ja bëjë duke e hedhur në ujë pas sirenave, ai e ndalon me litarët që lidh veten te direku.
Sepse ai e di që çdo gjë mund të ndodhë, por qëllimi është ç’ka e ka çuar deri aty dhe ç’ka e çon deri në fund. Një qeveri s’ka të drejtë të mbyllë veshët, por të dëgjojë. Ata janë dëgjuar. Nuk duhet që një qeveri t’ja hedhë gjithë fajin algoritmit, nuk është ky rasti. Por ka një gjë që një qeveri nuk e bën kurrë nëse është aty me një destinacion. Një qeveri nuk e dorëzon kurrë timonin te zhurma. Një grup udhëheqësish nuk i jepet zhurmës.
Sa më shumë zhurma zmadhohet, aq më shumë një grup udhëheqës forcon identitetin e vetë, duke bashkuar të gjithë në emër të destinacionit. Nuk ndërtohet një shtet si ai që ne po ndërtojmë dhe nuk çohet deri në fund një mision historik si ky që na ra ne, për ta bërë Shqipërinë pjesë të BE-së, duke i dhënë Shqipërisë momentin e dytë më të madh pas lidhjes së Prizrenit, nëse qeveria e tij merr drejtim nga fryn era dhe sugjestionohet nga zhurmat, erërat, sirenat e dallgët. Me çdo çmim, një grup udhëheqës i shkon deri në fund.
Shqipëria nuk është flamingo që merret zvarrë për t\’u dukur bukur. Shqipëria është një vend që sot është në luftë të madhe me veteveten dhe BE është Itaka jonë. Le të këndojnë sirenat atë punë kanë, ne kemi punë tjetër. kemi detyrë ta çojmë Shqipërinë në atë breg me çdo kusht. Mos u çudisni që në këtë rrugë që do të kemi shumë të tjerë që do na dalin anash, mbrapa, përballë. Kjo është rruga më e vështirë, është rruga e ime, juaj, e jona e PS”, tha Rama.
Ai shtoi se asnjë shqiptar i arsyeshëm nuk i mbështet protestat që, sipas tij, bëjnë sfilatë në Tiranë dhe shkojnë të bllokojnë aeroportin. Më tej kryeministri tha se në protestat që po zhvillohen në Tiranë po vijnë njerëz nga shtete të ndryshme, për të protestuar në emër të shqiptarëve.
“Jemi në një laborator. Në një laborator ku në kohë reale algoritmi dhe gënjeshtra prodhojnë një realitet paralel që shumë më shpejtë sesa faktet gjejnë rrugën e tyre. Ajo që mbetet për tu bërë është që ne të refuzojmë të ndekim çdo dallgë. Ajo që duhet të bëjmë është të qeverisim Shqipërinë sipas kontratës që kemi me popullin shqiptar dhe jo sipas algoritmit. Të vazhdojmë përpara. Patjetër të dëgjojmë. Askush nuk mund ta thotë që nuk ka shumë të vërteta në ato që thuhen. Zgjedhja jonë është e detyruar. Nuk është një zgjedhje që është njëra nga disa zgjedhjet. Zgjedhja jonë është të bëjmë çmos që njerëzve t’u japim lajmin e mirë. Kemi një problem me shërbimet, patjetër që kemi, por sot mbi 3 milionë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit që 95% të shërbimeve i marrin nga celulari pa takuar asnjë njeri. Kemi te ky 95% problematika sa të duash.
Ne kemi një detyrë që nuk e ka askush tjetër. Ne kemi detyrën të ndërtojmë. Shteti nuk ndërtohet duke bërë luftë nëpër kanalet e algoritmave, në emër të përmirësimit. Shteti ndërtohet duke mos e humbur drejtimin e historisë. Kam pasur shumë mesazhe sikur më ka shkuar ndër mend që unë të jap dorëheqjen. Sepse gjithmonë e më shumë njerëz ftillohen. Gjithmonë e më shumë njerëz besojnë që kjo nuk qëndron as në tokë as në qiell. Nuk mundet dot asnjë shqiptar i arsyeshëm që të pranojë që Tirana të bëhet territor sfilate për një turmë që shkon të bllokojë aeroportin. Ka mbetur një grup ku ka një përzierje të hatashme, që është një përzierje mbarëkombëtare. Vijnë njerëz nga Kosova, nga Maqedonia dhe shtete të tjera për të shpëtuar Shqipërinë, në emër të shqiptarëve. Edhe ata të bankave, të mirëpaguarit, me jetën e tyre e kuptojnë shumë mirë që këtu ka diçka që nuk shkon fare”, tha mes të tjerash Rama.
