Pas lirimit të tij, Dodë Gjergji Ivanaj ka reaguar me një mesazh falënderimi dhe mirënjohjeje për të gjithë ata që i qëndruan pranë gjatë ditëve të vështira, duke deklaruar se mbetet i palëkundur në bindjet dhe idealet e tij kombëtare.
Në një mesazh drejtuar bashkëpatriotëve, bashkëvendasve dhe bashkëkombësve, Ivanaj falënderoi të gjithë ata që e mbështetën dhe shprehën solidaritet me të, duke e cilësuar këtë përkrahje si dëshmi të unitetit dhe vetëdijes kombëtare të shqiptarëve.
“Jam krenar që veproj, qëndroj dhe do të vazhdoj të qëndroj besnik ndaj idealeve kombëtare, sepse Malësia është e shqiptarëve, Koja është shqiptare dhe këto janë vlera që i kam trashëguar nga familja ime”, u shpreh Ivanaj.
Ai theksoi se përballja me institucionet e një shteti të huaj ishte një përvojë e vështirë, por shtoi se asnjë presion nuk mund ta largojë nga bindjet e tij dhe nga dashuria për kombin shqiptar.
Sipas Ivanajt, mbështetja e madhe që mori nga shqiptarët në Malësi dhe më gjerë ishte përgjigjja më e fortë ndaj çdo përpjekjeje për ta izoluar apo frikësuar.
Duke falënderuar të gjithë ata që qëndruan pranë tij në këto momente, ai përcolli mesazhin se uniteti kombëtar mbetet arma më e fortë përballë çdo sfide.
Mesazhin e tij, Dodë Gjergji Ivanaj e mbylli me thirrjen:
“Rrnoft Shqipnia!”
Ja postimi plotë:
Të nderuar bashkëpatriot, bashkëvendas e bashkëkombas,
Dëshiroj që në emrin tim personal dhe të familjes time të falenderoj të gjithë dashamirët, që qëndruan pranë meje në këtë situatë që u gjenda për faj të tjetërkujt.
Jam krenar që veproj, qëndroj dhe do të vazhdoj të qëndroj besnik ndaj idealeve kombëtare, sepse Malësia është e shqiptarëve, Koja është shqiptare dhe të gjitha këto janë ideali im dhe i trasheguar nga familja ime.
Për fat të keq sado bujare që është Malësia dhe sado besnik që jemi ne si popull, gjithmonë gjendet ndonjë zemërprishur që të mundohet të prishë harmoninë ndërshqiptare dhe të mohojë respektin ndaj rrënjëve të veta.
Një e nga një, një milion herë faleminderit në përkrahjen tuaj si në momente të mira, ashtu edhe në momente të vështira, ku njeri nuk din çfarë të presë, aq më pak kur ka punë me një shtet të huaj ku nuk do të ishte hera e parë që u hakmerren patriotëve vetëm se e duan flamurin kuq e zi, dhe nuk lejojnë që i huaji, por as i veti ti shkeli.
Rrnoft Shqipnia 🇦🇱
I juaji
Dod Gjergji Ivanaj
Kojë, Malësi 🇦🇱
