AKTUALE

Në foltoren kryesore të Samitit të Sigurisë Kibernetike në Paris: Dukaj porositi se qëndrueshmëria kibernetike e Ballkanit Perëndimor është çështje e sigurisë evropiane

Presidenti i Samitit të Sigurisë Kibernetike të Parisit 2026, Sébastien Garnault, e hapi sot në Paris një takim dyditor të kushtuar temës “Rivendosja transatlantike”, i cili mbledh përfaqësues të qeverive, organizatave ndërkombëtare, sektorit të biznesit dhe komunitetit akademik për të shqyrtuar sfidat kryesore në fushën e sigurisë kibernetike dhe transformimit digjital.

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, mbajti fjalimin kryesor në samit, duke iu drejtuar nga podiumi qendror vendimmarrësve, ekspertëve dhe liderëve të fushës së sigurisë kibernetike nga mbarë bota.

Në fjalën e tij, Dukaj theksoi se siguria kibernetike sot përbën një nga çështjet kyçe të sigurisë kombëtare, qëndrueshmërisë demokratike dhe besimit të qytetarëve në institucione, duke nënvizuar se hapësira digjitale po bëhet po aq e rëndësishme për stabilitetin e shteteve sa edhe hapësira e tyre fizike.

Duke folur për përvojën e Malit të Zi, ai kujtoi sulmin e madh kibernetik ndaj sistemeve shtetërore në vitin 2022, duke theksuar se pikërisht ky ngjarje përbënte një pikë kthese që përshpejtoi reformat dhe forcoi përgjigjen institucionale të shtetit ndaj sfidave moderne të sigurisë.

Dukaj theksoi se që atëherë Mali i Zi ka miratuar Ligjin e ri për sigurinë e informacionit, të harmonizuar me direktivën NIS2 të Bashkimit Evropian, ka përmirësuar kuadrin institucional përmes forcimit të CIRT-it qeveritar dhe qendrës G-SOC, si dhe ka nisur krijimin e Agjencisë për sigurinë kibernetike si një shtyllë kyçe të sistemit kombëtar të mbrojtjes.

Ai i kushtoi vëmendje të veçantë zhvillimit të burimeve njerëzore dhe bashkëpunimit rajonal, duke theksuar se Qendra për Kapacitetet Kibernetike të Ballkanit Perëndimor (WB3C) në Podgoricë përfaqëson një nga iniciativat më të rëndësishme rajonale për zhvillimin e njohurive, aftësive dhe qëndrueshmërisë ndaj kërcënimeve në rritje kibernetike.

“Ballkani Perëndimor nuk është periferia e sigurisë kibernetike evropiane, por pjesë e bërthamës së saj. Investimi në kapacitetet kibernetike të rajonit përbën investim në stabilitetin, qëndrueshmërinë dhe sigurinë evropiane”, porositi Dukaj.

Ministri theksoi se kërcënimet kibernetike nuk njohin kufij dhe se asnjë shtet, pavarësisht madhësisë apo nivelit të zhvillimit, nuk mund të përballet i vetëm me sfidat e epokës digjitale, prandaj partneriteti, koordinimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar janë me rëndësi vendimtare.

Ai vlerësoi se siguria evropiane sot nuk matet vetëm me forcën e institucioneve dhe ekonomive, por edhe me aftësinë e shteteve për të mbrojtur sistemet e tyre digjitale, infrastrukturën kritike dhe proceset demokratike.

Duke përmbyllur fjalimin kryesor, Dukaj dha një mesazh të fortë për perspektivën evropiane të rajonit dhe përgjegjësinë e përbashkët për ruajtjen e sigurisë së hapësirës digjitale.

“Në një kohë kur stabiliteti i shteteve dhe besimi i qytetarëve mbrohen gjithnjë e më shumë në hapësirën digjitale, forcimi i qëndrueshmërisë kibernetike është imperativ strategjik dhe politik. Mali i Zi mbetet partner i besueshëm i Bashkimit Evropian dhe NATO-s, i përkushtuar për ndërtimin e një shoqërie digjitale të sigurt, të hapur dhe të qëndrueshme. Një Evropë e sigurt nuk është e mundur pa një Ballkan Perëndimor kibernetikisht të qëndrueshëm, dhe një Ballkan Perëndimor i fortë do të thotë një Evropë më e fortë dhe më e sigurt”, përfundoi ministri Dukaj.

Banner

Related posts

Drin Ahmeti do të tërhiqet nga drejtimi i kompanisë që bleu “Soravinë”

Gjyla Halili

Lajm i mirë për kreditë, ja kur pritet ulja e normës së interesit?

Gjyla Halili

LPK E GJILANIT, PAS LUFTËS SË UÇK-SË, ISHTE MË AKTIVJA NË TËRË KOSOVËN

admin