Filantropi i njohur Lazim Destani mori pjesë në manifestimin tradicional “Votra jonë na bashkon”, i cili u mbajt në katundin Veshallë dhe mblodhi qindra pjesëmarrës nga vendi, diaspora dhe mysafirë të shumtë.
Ky aktivitet, që organizohet çdo vit nga Shoqata Humanitare dhe Kulturore “Veshalla”, e themeluar nga mërgimtarët veshallas në Zvicër, synon ruajtjen dhe promovimin e traditave, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare.
Në mesin e të pranishmëve ishin personalitete të jetës politike, diplomatike, kulturore dhe shoqërore, ndër ta Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, Ambasadori i Austrisë në Shkup, Martin Pammer, Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Rexhep Demiri, aktivisti Florim Useini, si dhe figura të tjera të njohura.
Lazim Destani pati rastin të takohej dhe të bashkëbisedonte me shumë miq dhe pjesëmarrës, duke vlerësuar rëndësinë e organizimeve të tilla në forcimin e lidhjeve ndërmjet vendlindjes dhe mërgatës, si dhe në ruajtjen e identitetit kulturor e kombëtar.
Manifestimi u shoqërua me një program të pasur artistik me këngë dhe valle tradicionale shqiptare. Vëmendje të veçantë tërhoqën vallet me kostume kombëtare, paraqitja e grupit të vajzave të Veshallës dhe interpretimet e artistëve të ardhur nga Kosova, të cilët krijuan një atmosferë festive dhe emocionuese.
Me këtë rast, Lazim Destani përgëzoi Shoqatën “Veshalla” dhe kryetarin e saj, Ismail Rushani, për organizimin e suksesshëm dhe për kontributin e vazhdueshëm në ruajtjen e vlerave kulturore, traditave dhe bashkimit të komunitetit shqiptar.
Ja postimi plotë:
“Votra jonë na bashkon” ishte ngjarja tradicionale e katundit Veshallë ku dje pata nderin të marr pjesë. Është ky një manifestim i përvitshëm që organizohet nga Shoqata “Veshalla”, një organizatë humanitare e kulturore e themeluar nga mërgimtarët veshallas në Zvicër.
Në këtë festë madhështore që solli gëzim e kënaqësi te të gjithë, në mesin e qindra pjesëmarrësve të pranishëm ishin edhe shumë miq e personalitete, përfaqësues institucionesh, diplomatë, apo emra të shquar të artit, kulturës, arsimit e jetës shoqërore.
Pranë shumë miqve të mi nga Veshalla, këtu kaluam çaste të këndshme së bashku edhe me personalitete si, Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, Ambasadori i Austrisë në Shkup Martin Pammer, Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Zvicër Rexhep Demiri, aktivisti kërçovar Florim Useini, e shumë të tjerë.
Programi artistik me këngë e valle popullore tradicionale i dha bukurinë e veçantë këtij manifestimi ku spikatën vallet me kostume kombëtare si dhe paraqitja e grupit të vajzave të Veshallës. Ndërsa grupi i këngëtarëve të ardhur nga Kosova me interpretimet e tyre e shndërruan festën në një ditë të paharrueshme.
Takimet si ky, krahas dëfrimit që u sjellin pjesëmarrësve, gjithsesi përbëjnë kontribut të paçmueshëm për ruajtjen dhe promovimin e vlerave dhe trashëgimisë sonë popullore që ndër shekuj është bartur brez pas brezi, gjithandej trojeve tona.
Me këtë rast, drejtuesit e Shoqatës “Veshalla” me kryetar Ismail Rushani, duke i falënderuar për ftesën, i përgëzoj për aktivitetet dhe kontributin e tyre shumë të çmueshëm.




