Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, z. Nik Gjeloshaj, mori pjesë në konferencën „Economic Conference Montenegro 2026“, në organizim të Odës Ekonomike të Malit të Zi, ku foli në panelin „One Region. One Market. One Reform Agenda“ (Një rajon. Një treg. Një agjendë reformash).
Gjeloshaj theksoi se Procesi i Berlinit ka kontribuar ndjeshëm në krijimin e një hapësire ekonomike më të lidhur në Ballkanin Perëndimor, dhe se është e rëndësishme të vazhdohet me iniciativa konkrete që forcojnë më tej bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe lidhin ekonomitë e rajonit.
“Kemi rezultate konkrete mbi të cilat duhet të ndërtojmë më tej dhe të përmirësojmë kushtet e të bërit biznes, në mënyrë që kompanitë të mund të shfrytëzojnë edhe më lehtë mundësitë që ofron tregu rajonal. Për Malin e Zi, hapi i radhës është lidhja më e mirë e potecialeve tona në turizëm dhe shërbime me furnitorët, kuadrat dhe investimet në mbarë rajonin e CEFTA-s.
Ambicia jonë për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian në vitin 2028 është një arsye shtesë për të përshpejtuar këtë proces dhe për të përgatitur ndërmarrjet për mundësitë, por edhe për përshtatjet që do të sjellë anëtarësimi”, porositi Gjeloshaj.
Në fund të konferencës, ministri Gjeloshaj iu drejtua pjesëmarrësve me rastin e „WB6 Industrial Parks Partnership Signing Ceremony“ (Ceremonisë së Nënshkrimit të Partneritetit të Parqeve Industriale të WB6), gjatë së cilës përfaqësuesit e shtatë parqeve industriale dhe zonave të biznesit nga rajoni nënshkruan memorandume bashkëpunimi me partnerë nga Bashkimi Evropian.
Me këtë rast, Gjeloshaj theksoi rëndësinë e formave konkrete të bashkëpunimit rajonal, veçanërisht kur bëhet fjalë për zhvillimin e parqeve industriale dhe zonave të biznesit, tërheqjen e investimeve dhe krijimin e mundësive të reja të biznesit. „Ceremonia e sotme është një shembull i mirë i bashkëpunimit konkret që arrihet pikërisht aty ku investohet, bëhet biznes dhe krijohen vende të reja pune. Parqet industriale dhe zonat e biznesit kanë potenciale të ndryshme dhe ndodhen në nivele të ndryshme zhvillimi. Ajo që kanë të përbashkët është mundësia për të krijuar kushte më të mira për zhvillimin e industrisë dhe investime të reja, e me këtë edhe mundësi më të mira për njerëzit që punojnë në to“, tha Gjeloshaj.
