Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka deklaruar se Maqedonia e Veriut dhe Turqia kanë diskutuar për mundësi të reja investimesh, tregtie dhe bashkëpunimi ekonomik në kuadër të Forumit Ekonomik Maqedonia e Veriut–Turqi, që po mbahet në Stamboll.
Sali theksoi se Agjenda e Reformave dhe Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian po krijojnë mundësi konkrete për zhvillim ekonomik, tërheqje të investimeve dhe integrim gradual të vendit në Tregun e Përbashkët Evropian.
“Në Forumin Ekonomik Maqedonia e Veriut – Turqia në Stamboll diskutuam për mundësitë e reja për investime, tregti dhe bashkëpunim ekonomik ndërmjet dy vendeve tona”, ka shkruar Sali.
Ai nënvizoi se Turqia vazhdon të mbetet një partner i rëndësishëm ekonomik për vendin, duke vlerësuar se ekziston hapësirë për partneritete të reja në fusha strategjike.
“Turqia mbetet një partner i rëndësishëm ekonomik dhe së bashku mund të ndërtojmë partneritete të reja në infrastrukturë, energji, inovacion dhe transformim digjital”, theksoi zëvendëskryeministri i parë.
Sipas tij, thellimi i bashkëpunimit ekonomik me Turqinë dhe shfrytëzimi i mundësive që ofron Plani i Rritjes i BE-së janë elemente kyçe për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe afrimin e vendit me tregun evropian.
