AKTUALE

BDI DEGA TETOVË: VLEN NË OPOZITË KUNDËR BIXHOZIT, NË QEVERI “FESTË” ME PARATË E LOTARISË!

Koncerti i sotëm i vonuar në sheshin e riemërtuar si “Marshall Tito” nga Bilall Kasami në Tetovë përmbyll manifestimet për 35-vjetorin e Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut.

Por pas skenës dhe muzikës qëndron një kundërthënie që VLEN-i ua ka borxh t’ua shpjegojë qytetarëve.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Qeveria, manifestimet kushtojnë rreth 5,53 milionë euro gjithsej.

Këto mjete vijnë nga Lotaria Shtetërore.

Në opozitë, VLEN-i e ngriti luftën kundër bixhozit në kauzë morale. U zotua se nuk do të merr pjese në Lotarinë shtetërore, e as që do të shfrytëzon mjete nga Lotaria.

Sot, po e bën të kundërtën.

Sot, duke qenë pa legjitimitet në qeveri, feston përmes manifestimeve të financuara nga Lotaria.

A ndryshoi burimi i parave, apo ndryshoi morali juaj sapo morët pushtetin?

Si shpjegohet që të ardhurat nga bixhozi, dikur të papranueshme në ligjërimin tuaj politik, sot janë të përshtatshme për të paguar festën e qeverisë?

Ky është amoraliteti i standardeve të dyfishta. Në opozitë predikojnë parime, ndërsa në pushtet gjejnë arsyetime për t’i shkelur ato. Rehatia e kolltukut, me sa duket, ua ka zhdukur edhe atë pak ndërgjegje politike e njerëzore që pretendojnë se e kanë.

Arti duhet t’i mbushë sheshet dhe qytetarët kanë të drejtë të argëtohen. Por muzika nuk e shlyen hipokrizinë politike. Për premtimet dhe standardet tuaja të dyfishta duhet të përgjigjeni ju vetë!

Një tjetër shqetësim që po e shoqëron këtë cirk është pyetja e pashmangshme. Pse Tetova është lënë në margjinat e festimit të 35-vjetorit të Pavarësisë?

Grupi legjendar tetovar Elita 5, që dikur në Shqipëri ndau skenën me Scorpions, sot lihet jashtë manifestimit qendror në Shkup, ku performoi José Carreras dhe ku nuk u gjet hapësirë për asnjë artist apo grup shqiptar.

Tetovës dhe artistëve të saj u vjen radha një javë më vonë, në fund të agjendës. Për ne, kjo zgjedhje pasqyron vazhdimin e politikës së përjashtimit dhe margjinalizimit të shqiptarëve, që tashmë shfaqet edhe në manifestimet kulturore.

VLEN-i duhet të tregojë pse pranon që shqiptarët të jenë pjesë e pushtetit, por të mbeten në margjinat e përfaqësimit shtetëror, politik e kulturor.

Me respekt,
BDI – Dega Tetovë

Banner

Related posts

Taravari: Shqiptarët do të kenë kryeparlamentarin e gjashtë ministri

Gjyla Halili

OVL e UÇK-së po përgatit protestën e 13 dhjetorit në Shkup – Fton të gjithë shqiptarët që të bashkohen në këtë protestë

Gjyla Halili

Tirana City Talks/ Veliaj: Tirana sot shumë herë më e pastër se ç’e gjetëm, së shpejti, linja të dedikuara për autobusët

admin