Gjon Gjokaj -Njujork
Arsimi shqip dhe mësuesit patriotë në rajonet shqiptare ishin vazhdimisht në shënjestër të pushtuesit, sepse ata ishin kupola e vetëdijes kombëtare kundër regjimit sllav, duke edukuar dhe rritur ndërgjegjësimin tek populli shqiptar pavarësisht shtypjes dhe padrejtësive që u shkaktoheshin nga regjimi i atëhershëm jugosllav.
Kjo padrejtësi po zbatohet edhe sot nga regjimi malazez me të njejtin avaz, por me një metodë tjetër diskriminimi, përmes kuadrove dhe mekanizmave të tij, për të poshtëruar jo vetëm një individ, por një shoqëri të tërë, institucionin arsimor dhe të gjithë komunitetin etnik shqiptar në këtë republikë.
Një shqiptar të arsimuar, malazezët nuk e shohin si një intelektual të formuar, por më tepër si një person me mentalitet fshati dhe si një shërbëtor të tyre, përkatësisht të një institucioni shtetëror që merr një pagë dhe është i detyruar të zbatojë me përpikëri rregullat dhe kurrikulën arsimore të shtetit.
Megjithatë, kur bëhet fjalë për historinë dhe gjuhën shqipe, kurrikulat shkollore kanë mbetur të pandryshuara që nga koha e ish-Jugosllavisë komuniste; prandaj, profesorë si Mark Junçaj janë halë në sy për qeverinë dhe punonjësit e saj sepse ai është ndryshe nga të tjerët; Ai është një akademi në vetvete, dhe shumë i kualifikuar, mëson dhe shpjegon historinë sipas fakteve dhe argumentëve, për të vertetën e padrejtësive që i janë bërë popullit shqiptar, madje edhe nga vetë sllavët.
Veprimi i drejtorit(tashmë i dorëhequr), për shkarkimin e Markut nuk është vetëm një tregues i pakënaqësisë se stafit udhëheqës të Shkollës së “Mesme 25 Maji” (festë komuniste), por tregon gjithashtu se të gjithë mësuesit janë nën vezhgim dhe institucioni nuk po trajtohet si një institucion arsimor, por si një shtab politik e ideologjik, jo nëinetres të shqiptarëve dhe arsimit të tyre.
Me përjashtimin e Mark Junçajt, ka ndodhur diçka e re, që nga aksioni famekeq i “Fluturimi i Shqiponjës” në vitin 2006, të një procesi barbar dhe i dhimbshëm ndaj malësorëve që u përcollë me dhunë e maltretime, bastisje shtëpishë, burgosjet dhe tortura ndaj shqiptarëve të diasporës dhe Malësisë, që ishte një përpjekje e qëllimshme për të poshtëruar dhe frikësuar malësorët përgjithmonë. Por kësaj radhe, ndryshe nga herët e tjera, shqiptarët kudo janë mobilizuar së bashku edhe me studentët që kan organizuar protesta në mbrojtje të profesorit të tyre kundër këtij akti të shëmtuar antishqiptar.
Kjo situatë na inkurajon të reflektojmë më shumë mbi faktin se shqiptarët, brezat e rinj dhe e ardhmja e malësorëve mund të sjellin një rilindje të re në Malësi, e cila ka nevojë për një ngritje morale dhe vetëdije kombëtare më shumë se kurrë.
Shqiptarët tani e kuptojnë se çdo politikë apo politikan që vepron kundër interesave të tyre një ditë do të marrë fund dhe turpi i poshtërimit do të bjerë mbi ta si një hije e zezë.
Jo vetëm në këtë rast, të gjithë shqiptarët e ndershëm ishin në mbrojtje të prof. Mark Junçaj(tashmë i rikthyer në vendin e punës), por masa do të jetë gjithmonë me edukatorët e saj patriotë, sepse mësimdhënia është një detyrë e shenjtë.
Nuk është rastësi që mësuesit gjithmonë kanë gëzuar respekt në jo vetëm në vendet e tyre të punës, por në të gjitha shtrestat e shoqërisë. Ata jo vetëm që mbajtën ndezur pishtarin e dijes për popullin, por kryen edhe detyrat më të vështira të shoqërisë dhe përmes sakrificave të tyre, edukuan vazhdimisht brezat dhe ngritën vetëdijen kombëtare.
Mësuesi i mirë është dishepulli i popullit të vetë!
—
Gjon Gjokaj është veprimtar, publicist dhe kryetar i Fondit Humanitar Trieshi-SHBA
