AKTUALE

Nikollë Camaj në konferencën rajonale në Shkup: Mali i Zi lider në procesin e integrimit evropian

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi dhe anëtar i Komisionit për Integrimin Evropian, Nikollë Camaj, mori pjesë në konferencën rajonale me temën „Roli i mbikëqyrjes efikase parlamentare në avancimin e procesit të anëtarësimit në BE“, e mbajtur në Shkup në kuadër të projektit „Bashkëpunimi Rajonal për Integrimet Evropiane (RCEI)“, të zbatuar nga Organizata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).
Nikoqir i konferencës ishte Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ky ishte takimi i tretë rajonal në kuadër të këtij bashkëpunimi, pas konferencës së parë të mbajtur në vitin 2024 në Vlorë dhe asaj të vitit të kaluar, nikoqir i së cilës ishte Kuvendi i Malit të Zi.
Gjatë fjalës së tij, Camaj prezantoi qëndrimet dhe aktivitetet e Malit të Zi në procesin e integrimit evropian, duke vënë theksin te reformat, mbyllja e kapitujve negociues, ndryshimet kushtetuese dhe proceset që kontribuojnë në përshpejtimin e rrugës së vendit drejt Bashkimit Evropian.
„Mali i Zi u veçua në pothuajse të gjitha diskutimet si shembull i përparimit dhe lider i procesit të integrimit evropian në rajon. Kjo është një vlerësim që na obligon të vazhdojmë me edhe më shumë përgjegjësi dhe përkushtim“, tha Camaj.
Ai vlerësoi veçanërisht prezantimet dhe rekomandimet e ekspertëve të GIZ-it, Aleksandar Pejoviq dhe Demush Shasha, të cilët paraqitën të dhëna dhe analiza mbi progresin e Malit të Zi në procesin e integrimit evropian, si dhe rekomandime konkrete për hapat e mëtejshëm.
Sipas Camajt, këto rekomandime duhet të diskutohen në nivelin më të gjerë institucional në Mal të Zi.
„Do të ishte shumë e dobishme që këto rekomandime dhe përvoja të prezantohen para të gjithë ministrave dhe deputetëve të Malit të Zi. Integrimi evropian nuk është përgjegjësi e një institucioni apo e një partie politike të vetme. Është përgjegjësi e përbashkët dhe një mundësi historike që nuk duhet ta humbasim“, theksoi nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi.
Konferenca në Shkup shërbeu gjithashtu si platformë për shkëmbimin e përvojave ndërmjet parlamenteve dhe institucioneve të vendeve të rajonit, me fokus të veçantë në rolin e mbikëqyrjes parlamentare në procesin e integrimit evropian.
Në përfundim, Camaj falënderoi nikoqirët për mikpritjen dhe organizimin e konferencës, duke veçuar Antonio Milloshoskin, nënkryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut dhe kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane, Marina Dimovskën, sekretare e përgjithshme e Kuvendit, si dhe Bekim Sallin, ministër për Çështje Evropiane të Maqedonisë së Veriut.

Banner

Related posts

Zbulohet një depo karburanti pranë diskotekës “Puls” – MPB po heton praninë e naftës

Gjyla Halili

Iseni: Arbër Ademi është dështak, nuk ka të drejtë të komentojë rrjedhat politike

Gjyla Halili

Thellohet përçarja me VV-në, Osmani i kundërpërgjigjet një deklarate të Konjufcës: Qesharake

Gjyla Halili