Drejtori i shkollës së mesme “25 Maji” në Tuz, Sehad Lulanaj, ka njoftuar se ka shfuqizuar vendimin për largimin e profesorit Mark Junçaj nga procesi mësimor, pas kërkesës së Sindikatës së shkollës.
Vendim i drejtorit për largimin e profesorit Mark Junçaj shkaktoi pakënaqësi të gjerë dhe bojkotimin e mësimit dhe protestën e nxënësve.
Në një deklaratë drejtuar prindërve, nxënësve, mësimdhënësve dhe qytetarëve, Lulanaj sqaron se ndaj Junçajt ishte iniciuar procedurë disiplinore pas, siç thotë ai, vërejtjeve dhe ankesave të evidentuara gjatë dy viteve të fundit.
Sipas drejtorit, këto vërejtje kanë të bëjnë me zhvillimin e procesit mësimor dhe përmbushjen e detyrimeve profesionale.
Megjithatë, duke marrë parasysh situatën e krijuar ditëve të fundit dhe me qëllim të ruajtjes së mbarëvajtjes së procesit mësimor, drejtori ka vendosur që vendimi për largimin e Junçajt nga procesi mësimor të mos jetë më në fuqi.
Lulanaj thekson se vendimi është marrë duke pasur parasysh interesin e nxënësve, vazhdimësinë e mësimit dhe ruajtjen e një klime të qetë brenda shkollës.
Në deklaratë, ai nënvizon gjithashtu se përgjegjësia institucionale nënkupton edhe gatishmërinë për të rishqyrtuar vendimet kur rrethanat dhe interesi i institucionit e kërkojnë.
Deklarata e plotë e drejtorit Sehad Lulanaj:
Të nderuar prindër, nxënës, mësimdhënës dhe qytetarë,
Në përputhje me dispozitat ligjore dhe procedurat në fuqi, shkolla ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj mësimdhënësit Mark Junçaj. Kjo procedurë është iniciuar pas vërejtjeve dhe ankesave të evidentuara gjatë dy viteve të fundit, që kanë të bëjnë me zhvillimin e procesit mësimor dhe përmbushjen e detyrimeve profesionale të përcaktuara me legjislacionin në fuqi.
Ndërkohë, duke marrë parasysh situatën e krijuar ditëve të fundit dhe me qëllim të ruajtjes së mbarëvajtjes së procesit mësimor, sot, me kërkesë të Sindikatës së shkollës, kam çfuqizuar vendimin për largimin e mësimdhënësit Mark Junçaj nga procesi mësimor.
Ky vendim është marrë duke pasur në konsideratë, para së gjithash, interesin e nxënësve, vazhdimësinë e procesit mësimor dhe ruajtjen e një klime të qetë dhe të përgjegjshme brenda institucionit.
Si drejtor i shkollës, kam përgjegjësinë që çdo çështje ta trajtoj në mënyrë institucionale, në përputhje me ligjin dhe në interes të shkollës dhe nxënësve. Njëkohësisht, përgjegjësia institucionale nënkupton edhe gatishmërinë për të rishqyrtuar vendimet kur rrethanat dhe interesi i institucionit e kërkojnë këtë.
Besoj se të gjitha palët do të tregojnë përgjegjësi në mënyrë që vëmendja jonë e përbashkët të rikthehet aty ku duhet të jetë, te nxënësit, cilësia e mësimit dhe funksionimi i rregullt i shkollës.
Me respekt,
Sehad Lulanaj
Drejtor
