AKTUALE

Agron Dedivanaj propozon mobilizim urgjent qytetar nën organizimin e Komunës së Tuzit!

Drejtori i Shkollës Shqipe në Miçigan dhe ish-kryetari i Shoqatës “Jehona e Malësisë”, Agron Dedivanaj, ka reaguar publikisht lidhur me situatën alarmante të deponisë në Komunën e Malësisë (Tuz), duke kërkuar veprime të menjëhershme institucionale dhe përfshirje të ekspertizës ndërkombëtare të pavarur.

Në një deklaratë të strukturuar dhe të mbështetur në konsultime institucionale dhe ndërkombëtare, Dedivanaj thekson se shqetësimet e qytetarëve të Malësisë janë serioze, të vazhdueshme dhe të bazuara në përvojën e përditshme, duke përfshirë dyshime për ndotje mjedisore, rrezikim të shëndetit publik, mungesë transparence dhe barrë disproporcionale mbi komunitetin shqiptar.

Sipas tij, pas takimeve dhe konsultimeve me qarqe relevante institucionale dhe përfaqësues të strukturave të Kongresit Amerikan, është arritur në përfundimin se angazhimi i një ekspertize ndërkombëtare të pavarur është kusht themelor dhe i panegociueshëm për adresimin e kësaj çështjeje. Kjo nismë, siç theksohet, është marrë përsipër nga bordi i qytetarëve të Omerbozhajve, i udhëhequr nga Kolë Ivanaj dhe avokati Kolë Camaj.

Megjithatë, Dedivanaj nënvizon se vetëm ekspertiza nuk mjafton. Ai kërkon një sërë masash urgjente, përfshirë pezullimin e menjëhershëm të të gjitha aktiviteteve në deponi deri në përfundimin e vlerësimeve të pavarura, ndalimin e shkarkimit të mbeturinave pa marrëveshje publike dhe transparente, si dhe kufizimin e përdorimit të deponisë vetëm për Komunën e Tuzit, Podgoricën dhe Zetën.

Ndër kërkesat kryesore është edhe kalimi i deponisë në menaxhim të drejtpërdrejtë të Komunës së Malësisë, rritja e mbrojtjes mjedisore sipas standardeve të Bashkimit Evropian, transparencë e plotë institucionale dhe përfshirje reale e komunitetit lokal në vendimmarrje dhe mbikëqyrje.
Dedivanaj i bën thirrje Kryetarit të Komunës së Tuzit dhe institucioneve lokale që të marrin iniciativë të drejtpërdrejtë dhe të organizojnë mobilizim qytetar përmes protestave demokratike dhe paqësore, të cilat, sipas tij, duhet të vazhdojnë deri në përmbushjen e plotë dhe të verifikueshme të kërkesave.

Ai paralajmëron se, në rast të mosveprimit apo zvarritjes nga institucionet vendore dhe shtetërore, çështja do të ngrihet në forumet ndërkombëtare përkatëse.

“Qytetarët e Malësisë nuk kërkojnë privilegje, por të drejtën themelore për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm. Për jetën dhe dinjitetin njerëzor nuk negociohet,” thuhet në mesazhin e tij.
Deklarata e Agron Dedivanajt vjen si pjesë e një angazhimi më të gjerë të diasporës shqiptare për mbrojtjen e shëndetit publik, drejtësisë mjedisore dhe përgjegjësisë institucionale në Malësi.

Ja postimi plotë:

Në vijim të kërkesave për ndihmë dhe mbështetje të drejtpërdrejtë nga qytetarë të Komunës së Malësisë (Tuz), si dhe për shkak të shqetësimeve serioze dhe të vazhdueshme lidhur me funksionimin e deponisë, ne kemi ndërmarrë një proces të strukturuar hulumtimi dhe konsultimi institucional për të identifikuar rrugën më të mirë, më efektive dhe më të qëndrueshme për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Në këtë kuadër, janë zhvilluar takime dhe konsultime me qarqe relevante të institucioneve të ndryshme, si dhe me përfaqësues dhe struktura të Kongresit Amerikan. Bazuar në sugjerimet profesionale, institucionale dhe politike të marra gjatë këtyre takimeve, kemi arritur në përfundimin e qartë se qasja më e drejtë dhe më e besueshme për adresimin e situatës aktuale është ajo që parashtrohet në tekstin vijues:

Në kushtet e ekzistencës së pretendimeve serioze dhe të vazhdueshme për ndotje mjedisore, rrezikim të shëndetit publik, mungesë të theksuar transparence institucionale, si dhe ndikim potencialisht disproporcional mbi komunitetin shqiptar në Komunën e Malësisë (Tuz), angazhimi i një ekspertize ndërkombëtare të pavarur ( sikurse e ka marrur përsipër bordi i formuar nga qytetarët e Omerbozhajve në krye me Kolë Ivanaj dhe avokatin Kolë Camaj) përbën një kusht themelor, të domosdoshëm dhe të panegociueshëm.

Megjithatë, theksojmë qartë dhe pa ekuivok se kjo kërkesë, nëse mbetet e izoluar, nuk është e mjaftueshme për të garantuar një rezultat konkret, real, të zbatueshëm dhe të qëndrueshëm në praktikë. Për të prodhuar efekt real dhe të verifikueshëm, ajo duhet patjetër të shoqërohet me masa urgjente institucionale dhe kërkesa shtesë konkrete, siç parashtrohen më poshtë:

1. Angazhimi i menjëhershëm i një ekspertize ndërkombëtare të pavarur për vlerësimin e ndikimit mjedisor dhe shëndetësor të deponisë.
2. Pezullimi i menjëhershëm i të gjitha punimeve dhe aktiviteteve në deponi deri në përfundimin e vlerësimeve të pavarura dhe transparente nga qytetarët duke formuar protesta gjithë përfshirëse të teritorit të Malësisë (Tuzit)!
3. Ndalimi i plotë i shkarkimit të mbeturinave pa marrëveshje paraprake, publike, transparente dhe të miratuar institucionalisht.
4. Kufizimi i përdorimit të deponisë vetëm për:
• Komunën e Tuzit (Malësi),
• Podgoricën,
• Zetën,
duke ndaluar çdo përdorim tjetër nga njësi apo subjekte të tjera.
5. Kalimi i deponisë në menaxhim të drejtpërdrejtë të Komunës së Malësisë (Tuzit), me përgjegjësi të plotë administrative dhe financiare.
6. Rritja e nivelit të mbrojtjes së mjedisit përmes zbatimit rigoroz të procedurave ekologjike në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Evropian.
7. Transparencë e plotë institucionale, përfshirë publikimin e të gjitha kontratave, lejeve, raporteve dhe vendimeve që lidhen me deponinë.
8. Përfshirja reale, e vazhdueshme dhe institucionale e komunitetit lokal në proceset e vendimmarrjes, monitorimit dhe mbikëqyrjes.
9. Garantimi i mbrojtjes së shëndetit publik dhe drejtësisë mjedisore, pa diskriminim dhe pa barrë disproporcionale mbi komunitetin shqiptar në Malësi.

Prandaj, për ti realizuar këto kërkesa duhet vepruar si më poshtë:

1. Kryetari i Komunës së Tuzit (Malësi), së bashku me gjithë stafin komunal, duhet të marrë iniciativë të drejtpërdrejtë institucionale për zbatimin e këtyre kërkesave.
2. I njëjti organ në krye me kryetarin aktual z. Gjelaj duhet organizuar mobilizim masiv i tërë qytetarëve të Malësisë përmes protestave demokratike, paqësore dhe legjitime, të udhëhequra institucionalisht nga Komuna për ndalimin e pikave të lartë përmendura.
3. Protestat duhet të vazhdojnë pa ndërprerje deri në përmbushjen e plotë dhe të verifikueshme të të gjitha kërkesave të parashtruara.
4. Të ushtrohet presion publik dhe institucional ndaj autoriteteve përgjegjëse në nivel lokal dhe shtetëror.
5. Të kërkohet përfshirja e institucioneve ndërkombëtare dhe evropiane në rast të mosveprimit, refuzimit ose zvarritjes nga institucionet vendore.
6. Të informohet vazhdimisht publiku përmes komunikimit transparent dhe të rregullt me qytetarët dhe mediat.
7. Të mbrohet interesi publik dhe shëndeti i qytetarëve si prioritet absolut, mbi çdo interes politik apo ekonomik.

Këto shqetësime nuk janë emocionale apo politike, por të mbështetura në përvojën e përditshme të qytetarëve dhe në dështimin institucional për t’i adresuar ato në mënyrë të hapur dhe të besueshme.

Qytetarët e Malësisë nuk kërkojnë privilegje.
Ata kërkojnë të drejtën themelore për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm, siç garantohet nga të gjitha konventat ndërkombëtare që edhe shtetet e rajonit i kanë nënshkruar.

Në rast të mosveprimit, zvarritjes apo mbylljes së syve, kjo çështje do të ngrihet në të gjitha forumet ndërkombëtare përkatëse, sepse:

Drejtësia nuk njeh kufij kur padrejtësia institucionalizohet.

Kjo është një thirrje për përgjegjësi ndërkombëtare.
Kjo është një thirrje për mbrojtjen e jetës dhe dinjitetit njerëzor.
Dhe për jetën – nuk negociohet.

Related posts

Kurti e Rama hyjnë ndaras në Kuvendin e Kosovës

Gjyla Halili

Osmani: Qeveri me shqiptarë jolegjitim dhe Qeveri pa shqiptarë është e njejtë, këtë e bënte Millosheviqi

Gjyla Halili

Nagavci paralajmëron prindërit: Do të përballeni me ligjin nëse shpenzoni mjetet për blerjen e librave për diçka tjetër

admin