Një tjetër talent premtues nga futbolli shqiptar po hedh hapa të rëndësishëm drejt arenës ndërkombëtare.
Leart Alija, futbollist i gjeneratës 2012 të KF Kumanova Milano 2010, i lindur më 26 qershor 2012 dhe me prejardhje nga Orizarja, Komuna e Likovës, ndodhet në Austri, ku po zhvillon një kamp stërvitor dhe një periudhë prove 10-ditore te një nga klubet më të mëdha dhe më të suksesshme të futbollit austriak, Austria Wien.
Gjatë kësaj periudhe, nën drejtimin e trajnerëve profesionistë të klubit vjenez, Learti do t’i nënshtrohet një programi intensiv që përfshin testime fizike, ushtrime teknike e taktike, si dhe ndeshje miqësore. Qëllimi është vlerësimi i potencialit dhe cilësive të tij si futbollist.
Talenti i ri synon të dëshmojë aftësitë që ka zhvilluar në klubin e tij amë, KF Kumanova Milano 2010, duke lënë përshtypje pozitive te stafi teknik dhe drejtuesit e Austria Wien.
Pjesëmarrja në këtë kamp përfaqëson një arritje të rëndësishme jo vetëm për Leart Alijën, por edhe një vlerësim për punën e vazhdueshme të KF Kumanova Milano 2010 në zhvillimin e futbollistëve të rinj.
I urojmë Leartit shumë suksese në këtë sfidë dhe shpresojmë që kjo eksperiencë të jetë një hap i madh drejt realizimit të ëndrrës së tij për të ndërtuar një karrierë në futbollin evropian.



