Seanca e 119-të e Parlamentit u zhvillua në një atmosferë tensioni, ku deputetët e opozitës shqiptare ngritën një varg kundërshtimesh procedurale duke pretenduar se kryesuesi i seancës ka shkelur Rregulloren e Parlamentit, Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe Amendamentin 5 të Kushtetutës, ndërsa nga radhët e shumicës këto reagime u cilësuan si përpjekje për bllokim të punimeve pa argumente përmbajtësore. Kundërshtimet nisën me deputetin e Frontit Evropian, Sali Murati, i cili u ndal te caktimi i tri seancave brenda së njëjtës ditë. Sipas tij, ky veprim përbën shkelje të drejtpërdrejtë të nenit 74, paragrafi 1, i Rregullores së Parlamentit. Kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi, u përgjigj se vetë neni i cituar nga deputeti parashikon mundësinë e thirrjes së seancave në raste urgjente dhe kërkoi që punimet të vazhdojnë. Debati u zhvendos më pas te përmbajtja e pikës së parë të rendit të ditës.
Deputetja e Lidhjes Shqiptare, Ilire Dauti, tha se Propozim-ligji i futur në procedurë të shkurtuar në seancën e 119-të është nënshkruar dhe protokolluar vetëm në gjuhën maqedonase, përfshirë nënshkrimet e Afrim Gashit dhe Zeqirija Tahirit, të cilët i cilësoi nënshkrues të këtij propozimligji. “Kjo nuk është vetëm çështje procedurale, por është çështje identiteti, dinjiteti, është çështje e një prej rregullimeve kushtetuese të vendit tonë dhe ju e shkelni sa herë që ju kujtohet”, deklaroi Dauti. Sipas saj, versioni në gjuhën shqipe u është dorëzuar deputetëve vetëm më pas, por si dokument pa numër arkivor dhe pa nënshkrime, çka siç tha ajo, e zbeh vlerën e tij formale. Dauti u thirr në nenin 3, pika 4, të Rregullores, i cili përcakton se deputeti apo funksionari i zgjedhur ose i emëruar që flet gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja, të folur nga së paku 20 për qind e qytetarëve, materialet duhet t’i pranojë me kohë edhe në gjuhën dhe alfabetin e tij, si dhe në nenin 4 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. “Ju jo vetëm që keni shkelur veten tuaj, por keni shkuar edhe një hap më tutje, ju po jepni nga ky institucion shembullin se si të sillen institucionet e tjera”, tha ajo.
Gashi e kundërshtoi kualifikimin e kësaj vërejtjeje si shkelje procedurale, duke thënë se ajo nuk lidhet me udhëheqjen e seancës, por përbën sugjerim se dokumenti duhej nënshkruar edhe në gjuhën shqipe. Ai theksoi se ligji në fjalë është përkthyer dhe u është dërguar të gjithë deputetëve, prandaj, sipas tij, debati mund të zhvillohet me versionin shqip para vetes.
Deputetja e Frontit Evropian, Rina Ajdari, e zgjeroi kundërshtimin te mungesa e arsyetimit me shkrim për procedurën urgjente. Ajo tha se seanca e 120-të është caktuar brenda më pak se një dite të plotë, ndërkohë që materialet duhet t’u dorëzohen deputetëve së paku dhjetë ditë para datës së caktuar për mbajtjen e seancës. Ajdari u thirr edhe në paragrafët 2 dhe 3 të të njëjtit nen, sipas të cilëve urgjenca duhet të arsyetohet me shkrim. “Një arsyetim i tillë mungon, duke e bërë edhe më evidente shkeljen e procedurave”, tha Ajdari. Ajo shtoi se grupi i saj parlamentar i ka dërguar kryetarit të Parlamentit edhe shkresë zyrtare, me të cilën ka kërkuar kujdes më të madh në respektimin e procedurave. Kryesuesi kërkoi kujdes në mënyrën e komunikimit dhe paralajmëroi se nuk do të lejojë keqpërdorim të së drejtës për procedurale. Ky qëndrim nxiti reagimin e deputetit të Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe. “Ne nuk jetojmë në autokraci, ne jetojmë në demokraci, nuk mund të thuash nuk lejohet procedurale. Ti do ta respektosh procedurën ashtu si shkruan, jo ashtu siç të përshtatet ty”, tha Snopçe.
Nga radhët e shumicës, deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, i hodhi poshtë pretendimet e opozitës dhe i akuzoi kolegët e saj se e kanë kthyer bllokimin e punimeve në kauzë politike, në mungesë të argumenteve dhe të llogaridhënies para qytetarëve për projektet e parealizuara. “Ju jeni këtu vetëm për të bërë shou, për të marrë disa sekuenca për të bërë një reels dhe të vetëkënaqeni me atë punën që e bëni”, tha Azizi. Ai u ndal edhe te mbrojtja e gjuhës shqipe, duke iu referuar mbledhjes për Kodin Zgjedhor, ku, sipas tij, deputetë të opozitës folën në gjuhën maqedonase, pavarësisht se ministri kishte siguruar përkthim.
Përplasja e nxori sërish në plan të parë çështjen e zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve brenda vetë institucionit ligjvënës. (koha.mk)
