Në kuadër të bashkëbisedimeve me institucionet shkencore dhe kombëtare për projektin e Enciklopedisë Shqiptare, një delegacion i Shoqërisë LËVIZJA, i përbërë nga z. Xhevat Bislimi dhe znj. Safete Hadërgjonaj, u prit në takim nga Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Prof. Dr. Justina Pula.
Gjatë takimit u zhvillua një shkëmbim i frytshëm mendimesh rreth rëndësisë së Enciklopedisë Shqiptare si një vepër themelore e kulturës, historiografisë dhe identitetit kombëtar shqiptar. Përfaqësuesit e Shoqërisë LËVIZJA shprehën mbështetjen e plotë për këtë nismë të përbashkët të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, duke e vlerësuar atë si një projekt me peshë të veçantë shkencore dhe kombëtare.
Në këtë frymë, delegacioni i Shoqërisë LËVIZJA paraqiti vlerësimet, kërkesat dhe sugjerimet e tij lidhur me nevojën që Enciklopedia Shqiptare të pasqyrojë në mënyrë të plotë, të balancuar dhe të mbështetur në burime të verifikuara shkencore veprimtarinë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në trojet shqiptare nën ish-Jugosllavi. Në mënyrë të veçantë u theksua rëndësia e trajtimit të denjë të Lëvizjes Popullore të Kosovës, si dhe e kontributit historik të dëshmorëve, veprimtarëve, luftëtarëve dhe drejtuesve të saj në procesin e organizimit kombëtar, të rezistencës, të luftës çlirimtare dhe të ndërtimit të shtetit të Kosovës.
Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Prof. Dr. Justina Pula, vlerësoi rëndësinë e dialogut me bartësit e kujtesës historike dhe shprehu gatishmërinë që të gjitha sugjerimet e argumentuara të shqyrtohen me seriozitet, në përputhje me kriteret shkencore dhe metodologjinë redaktuese të Enciklopedisë Shqiptare. Ajo theksoi se një vepër e tillë duhet të pasqyrojë në mënyrë sa më gjithëpërfshirëse dhe objektive zhvillimet, personalitetet dhe kontributet që kanë shënuar historinë e kombit shqiptar.
Me këtë rast, përfaqësuesit e Shoqërisë LËVIZJA i dorëzuan Kryetares së Akademisë një memorandum me shkrim, prej katër faqesh, adresuar Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe redaksive të Enciklopedisë Shqiptare. Memorandumi përmban kërkesat, argumentet dhe sugjerimet e Shoqërisë për përfaqësimin sa më të plotë dhe objektiv të Lëvizjes Popullore të Kosovës, – themeluese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të personaliteteve të saj në këtë vepër enciklopedike.
Shoqëria LËVIZJA shpreh bindjen se Enciklopedia Shqiptare do të jetë një vepër referenciale e shkencës shqiptare, e mbështetur në të vërtetën historike, integritetin akademik dhe përgjegjësinë kombëtare, duke i shërbyer ruajtjes së kujtesës historike dhe edukimit të brezave të ardhshëm.


