Stamboll, 24 nëntor 2026
Gjatë qëndrimit të tij në Stamboll të Republikës së Turqisë, ku po merr pjesë në punimet e Samitit Ndërkombëtar të Këshillave të Fetvave, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm, H. Irsal ef. Jakupi, u prit në një takim zyrtar nga Kryetari i Presidencës për Çështje Fetare (Dijanet) të Republikës së Turqisë, Prof. Dr. Safi Arpaguş.
Në fillim të takimit, Kryetari Arpaguş i shprehu falënderimet e tij të përzemërta Reisul Ulemasë për pjesëmarrjen në këtë samit me rëndësi të veçantë për të ardhmen e Islamit dhe të muslimanëve, duke vlerësuar lart angazhimin dhe kontributin e Reisul Ulemasë dhe të Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së në promovimin e vlerave të larta fetare e morale islame.
Nga ana e tij, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai falënderoi Kryetarin, Prof. Dr. Safi Arpaguş, për ftesën drejtuar Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së për të qenë pjesë e këtij samiti kaq të rëndësishëm dhe të domosdoshëm në kontekstin e sfidave të kohës në të cilën jetojmë dhe veprojmë. Me këtë rast, Reisul Ulema theksoi se ndihej veçanërisht i nderuar për mundësinë që i ishte dhënë për t’iu drejtuar auditorit me kumtesën e tij gjatë punimeve të këtij samiti ndërkombëtar.
Ky takim është një dëshmi e radhës e marrëdhënieve të shkëlqyera dhe të konsoliduara ndërmjet dy institucioneve të larta fetare, si dhe e përkushtimit të ndërsjellë të drejtuesve të tyre për vazhdimin, thellimin dhe avancimin e bashkëpunimit institucional në fusha të ndryshme të organizimit të jetës fetare, kulturore dhe edukativo-arsimore.
Në përmbyllje të takimit, dy drejtuesit e lartë fetarë, në shenjë respekti dhe vlerësimi të ndërsjellë, shkëmbyen dhurata dhe mirënjohje simbolike.
