Shkolla shqipe “Jehona e Malësisë” nis një kapitull të ri në drejtimin e saj. Shaqe Berishaj merr detyrën e drejtoreshës së shkollës, duke pasuar Agron Dedivanajn, i cili ka dhënë dorëheqje pasi ka pranuar detyrën e re si drejtor i Qendrës Sociale pranë Kishës Katolike në Sukruq.
Me këtë rast, Agron Dedivanaj ka përcjellë një mesazh falënderimi dhe mirënjohjeje për të gjithë ata që kontribuuan në rrugëtimin e shkollës gjatë periudhës së drejtimit të tij.
Ai ka falënderuar bordin drejtues, profesorët, asistentët, bashkëpunëtorët, sekretarin e shkollës, prindërit, nxënësit, komunitetin dhe donatorët, duke vlerësuar përkushtimin dhe mbështetjen e tyre në zhvillimin e misionit arsimor e kulturor të institucionit.
Dedivanaj ka theksuar se një nga synimet kryesore gjatë drejtimit të tij ka qenë forcimi i mësimit të gjuhës shqipe dhe ruajtja e identitetit e kulturës shqiptare te brezat e rinj.
“Frytin më të çmuar të kësaj pune e shoh kur një nxënës arrin të shprehë lirshëm mendimin e vet në shqip, të kuptojë vargjet e një kënge të Shqipërisë apo të hedhë në letër një rrëfim të gjyshërve me fjalët që dëgjoi prej tyre”, është shprehur ai.
Duke i uruar suksese drejtoreshës së re, Dedivanaj ka vlerësuar formimin akademik, përvojën profesionale dhe trashëgiminë kulturore të Shaqe Berishajt, duke shprehur besimin se nën drejtimin e saj shkolla do të vazhdojë të përparojë dhe të ngrihet në një nivel edhe më të lartë arsimor e kulturor.
Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet profesorëve, asistentëve, prindërve, bordit drejtues, komunitetit dhe donatorëve, me synimin që çdo nxënës të përparojë në të folur, lexim dhe shkrim në gjuhën shqipe.
Në fund, ish-drejtori ka përcjellë një mesazh të veçantë për pasardhësen e tij:
“Ju priftë e mbara, e nderuar Shaqe!”
Me këtë ndryshim në drejtim, shkolla shqipe “Jehona e Malësisë” synon të vazhdojë misionin e saj në ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare te brezat e rinj.
Ja postimi plotë:
E nderuar zonja Shaqe Berishaj,
Ju përgëzoj përzemërsisht për marrjen e detyrës si drejtoreshë e shkollës shqipe “Jehona e Malësisë” dhe Ju falënderoj që pranuat përgjegjësinë për ta çuar përpara punën e nisur. Po jap dorëheqjen nga drejtimi i shkollës pasi kam pranuar detyrën e re si drejtor i Qendrës Sociale pranë Kishës Katolike në Sukruq. Teksa marr përsipër këtë përgjegjësi të re, kujtoj me krenari punën që i kam kushtuar shkollës dhe me mirënjohje të gjithë ata që kam pasur nderin të kem përkrah.
Falënderoj bordin drejtues që më besoi drejtimin e shkollës dhe më mbështeti gjatë ushtrimit të kësaj detyre. Profesorëve u jam mirënjohës për dijen, durimin dhe kujdesin që i kanë kushtuar çdo nxënësi. Një falënderim të posaçëm u drejtoj asistentëve, bashkëpunëtorëve të mi dhe sekretarit të shkollës për punën e tyre të palodhur. Nga përgatitja e orëve mësimore dhe mbështetja e nxënësve deri te komunikimi me familjet dhe organizimi i veprimtarive, kontributi i tyre ka qenë i pranishëm në çdo hap të jetës së shkollës.
Falënderoj prindërit që na besuan arsimimin e fëmijëve të tyre në gjuhën shqipe dhe që i dhanë vazhdimësi në shtëpi asaj që mësohej në klasë. Nxënësve tanë u jam veçanërisht mirënjohës. Kureshtja e tyre dhe guximi për ta marrë fjalën në shqip i kanë dhënë kuptim punës sime si drejtor. Falënderoj gjithashtu mbarë komunitetin dhe të gjithë donatorët. Ata që besuan në këtë nismë që në fillim bënë të mundur themelimin e shkollës. Ata që vijuan ta mbështesin dhe ata që iu bashkuan ndër vite i dhanë mundësi të vazhdojë me sukses misionin e saj.
Gjatë drejtimit tim, jam përpjekur që shqipja të zërë një vend të qëndrueshëm në jetën e fëmijëve tanë. Frytin më të çmuar të kësaj pune e shoh kur një nxënës arrin të shprehë lirshëm mendimin e vet në shqip, të kuptojë vargjet e një kënge të Shqipëris apo të hedhë në letër një rrëfim të gjyshërve me fjalët që dëgjoi prej tyre. Pikërisht në këto çaste kuptohet se si, përmes gjuhës, ruhen identiteti shqiptar dhe kultura shqiptare. Duke mësuar shqip, fëmijët fitojnë mundësinë të njohin letërsinë, historinë dhe traditat e tyre, të kuptojnë më thellë prejardhjen e vet dhe t’ia përcjellin këtë trashëgimi brezit të ardhshëm.
E nderuar Shaqe, besimi im tek Ju buron nga kualifikimet Tuaja akademike, ekspertiza profesionale dhe trashëgimia kulturore që mbartni nga familja Juaj. Përgatitja Juaj profesionale Ju mundëson të dalloni se çfarë i duhet secilit nxënës për të përparuar. Nga familja Juaj sillni në këtë detyrë një njohje të gjallë të gjuhës dhe të traditave të Shqipëris. Këto cilësi më japin bindjen e plotë se, me përkushtimin Tuaj, do ta ngrini “Jehonën e Malësisë” në një nivel edhe më të lartë arsimor e kulturor.
Nga drejtimi Juaj presim që çdo nxënës, pavarësisht nivelit fillestar, të përparojë në të folur, në lexim dhe në shkrim. Presim që profesorët dhe asistentët të gjejnë tek Ju mbështetje për punën e tyre, që prindërit të kenë zë në jetën e shkollës dhe që bashkëpunimi me bordin, komunitetin e donatorët të forcohet më tej. Uroj që gëzimin më të madh të kësaj detyre ta gjeni te nxënësit që, edhe pasi të dalin nga bankat e shkollës sonë, do ta flasin shqipen me dëshirë e krenari.
Ju priftë e mbara, e nderuar Shaqe!
Me respekt, mirënjohje dhe besim të plotë,
Agron Dedivanaj
Ish-drejtori i shkollës shqipe “Jehona e Malësisë”


