AKTUALE

Shoqata “Jehona e Malësisë” në Miçigan: Për Kosovën qëndrojmë të gjithë në këmbë, nuk harrojmë, nuk përkulemi!

Shoqata “Jehona e Malësisë” në Michigan ka reaguar lidhur me vendimin e fundit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së, duke shprehur shqetësim dhe zhgënjim për atë që e konsideron si një proces që, në perceptimin e saj, nuk ka reflektuar standarde të njëjta drejtësie.

“Edhe kësaj here, nga Haga prisnim drejtësi — një drejtësi të paanshme, të mbështetur mbi prova dhe mbi përgjegjësinë individuale”, thuhet në reagimin e shoqatës.

Sipas “Jehonës së Malësisë”, përgjegjësia duhet të përcaktohet individualisht dhe mbi prova konkrete, pa e vendosur në bankën e të akuzuarve historinë e luftës dhe të qëndresës së një populli të tërë.

Shoqata thekson se shqiptarët e Kosovës e njohin nga afër çmimin e lirisë, duke kujtuar vrasjet, dëbimet masive, persekutimin dhe krimet e kryera ndaj popullsisë shqiptare gjatë luftës.

“Një popull që luftoi për të mbijetuar dhe për të jetuar i lirë nuk mund të shpallet fajtor si komb. Mund të gjykohen individë, por nuk mund të gjykohet një popull për të drejtën e tij për të mbrojtur jetën, familjen, shtëpinë dhe lirinë”, shprehen nga shoqata.

“Jehona e Malësisë” nënvizon se kërkesa për drejtësi për çdo viktimë është e drejtë, por kjo, sipas saj, nuk duhet të çojë në relativizimin e historisë apo në barazimin e përgjegjësive.

Në reagimin e saj, shoqata shpreh gjithashtu solidaritet me familjet e atyre që humbën jetën dhe me të gjithë ata që, sipas saj, mbajnë ende plagët e luftës.
“Ne nuk harrojmë. Ne nuk përkulemi. Ne qëndrojmë”, thuhet në përfundim të reagimit.

Shoqata “Jehona e Malësisë” e mbyll deklaratën me një mesazh për brezat e ardhshëm: “Për ata që dhanë gjithçka. Për ata që qëndruan. Për brezat që do të vijnë. Kosovë — krenare, e lirë dhe me kokën lart!” 🇽🇰

Ja postimi plotë:

Edhe kësaj here, nga Haga prisnim drejtësi — jo një drejtësi që, në sytë tanë, duket sikur përdor peshore të ndryshme për njerëz të ndryshëm.

Për ne, të akuzuarit po përballen me një padrejtësi të rëndë. Ata meritojnë një proces të paanshëm, ku përgjegjësia individuale të përcaktohet mbi prova dhe jo të krijohet përshtypja se në bankën e të akuzuarve është vendosur historia e luftës dhe e qëndresës së një populli të tërë.

Ne shqiptarët e dimë çmimin e lirisë. E dimë sa gjak, sakrificë dhe dhimbje ka kushtuar ajo. Popullsia shqiptare e Kosovës përjetoi vrasje, dëbime masive, persekutim dhe krime të rënda nga forcat serbe. Këto plagë nuk mund të fshihen nga kujtesa jonë dhe as të relativizohen.

Prandaj ne e ngremë zërin kur besojmë se drejtësia po zbatohet në mënyrë të pabarabartë. Të kërkosh drejtësi për çdo viktimë nuk do të thotë të barazosh historinë, përgjegjësitë apo vuajtjet e palëve.

Një popull që luftoi për të mbijetuar dhe për të jetuar i lirë nuk mund të shpallet fajtor si komb.

Mund të gjykohen individë, por nuk mund të vihet në bankën e të akuzuarve e drejta e një populli për të mbrojtur jetën, shtëpinë dhe lirinë e tij.

Kosova është ngritur mbi sakrificë dhe është mbajtur në këmbë nga qëndresa. Është amaneti i atyre që nuk u kthyen, dhimbja e atyre që mbijetuan dhe përgjegjësia e atyre që sot jetojnë të lirë.

Ne nuk harrojmë. Ne nuk përkulemi. Ne qëndrojmë.
Sepse liria jonë ka një çmim, sakrifica jonë ka një histori dhe qëndresa jonë ka një emër: Krenar për Bijtë dhe Bijat shqiptar!

Për ata që dhanë gjithçka. Për ata që qëndruan. Për brezat që do të vijnë.
Kosova — krenare, e lirë dhe me kokën lart! 🇽🇰

Banner

Related posts

Ali Ahmeti takon Congressman Keith Self, diskutohet për zhvillimet politike në vend

Gjyla Halili

Bejta vazhdon fushatën: “Limani ka fryrë çmimet në tenderin e pllakave të bekatonit”

Gjyla Halili

Drejtori Dimovski viziton kompanitë në TIDZ Prilep: me marrëdhënie transparente dhe partneriteti deri në rritje ekonomike afatgjatë

Gjyla Halili