Shoqata Humanitare Tuhini në Zvicër shënoi 10-vjetorin e themelimit të saj me një manifestim solemn, në të cilin morën pjesë përfaqësues të institucioneve, shoqatave dhe komunitetit shqiptar në Zvicër.
Në këtë ngjarje morën pjesë, ndër të tjerë, Vigan Berisha, përfaqësues i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, dhe Shasime Osmani, deputete në Parlamentin e Bernës, të cilët me praninë e tyre nderuan këtë përvjetor të rëndësishëm të shoqatës.
Në pamundësi për të qenë të pranishëm në manifestim, urimet dhe përshëndetjet e tyre i përcollën edhe Rexhep Demiri, Ambasador i Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe Resul Mehmeti, kryetar i Shoqatës Kulturore Kërçova në Zvicër.
Me rastin e këtij jubileu, kryetari i Shoqatës Humanitare Tuhini në Zvicër, Argjend Lika, në emër të tij dhe të Kryesisë së shoqatës, shprehu mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit, bashkëpunëtorët, përkrahësit dhe miqtë e shoqatës.
“Faleminderit të gjithëve për respektin, vlerësimin dhe mbështetjen e treguar ndaj Shoqatës Humanitare Tuhini – Zvicër. Prania dhe përkrahja juaj janë një nder i madh për ne dhe një motivim për të vazhduar misionin tonë humanitar edhe në të ardhmen”, u shpreh Lika.
Manifestimi i 10-vjetorit ishte një mundësi për të rikujtuar rrugëtimin e shoqatës gjatë dekadës së parë të veprimtarisë, si dhe për të shprehur mirënjohjen ndaj të gjithë atyre që kanë kontribuar dhe kanë mbështetur aktivitetet e saj humanitare.
Shoqata Humanitare Tuhini në Zvicër, përmes këtij jubileu, theksoi rëndësinë e solidaritetit, bashkëpunimit dhe vazhdimit të aktiviteteve në shërbim të komunitetit.
Argjend Lika
Kryetar i Shoqatës Humanitare Tuhini – Zvicër
