Ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë, dr. Martin Berishaj, mori pjesë në ceremoninë solemne të zbulimit të pllakës përkujtimore në Sllavonski Brod, kushtuar dhjetë viktimave të aksidentit tragjik rrugor të 25 korrikut 2021.
Në fjalën e tij, ambasadori Berishaj theksoi se vendosja e kësaj pllake përkujtimore është më shumë se një akt simbolik, pasi ajo përfaqëson përgjegjësinë morale për të ruajtur kujtimin e viktimave dhe për të qëndruar pranë familjeve të tyre.
“Dhimbja e familjeve të viktimave mbetet edhe dhimbja jonë e përbashkët. Pas këtij aksidenti tragjik nuk fshihen vetëm shifra, por fate njerëzore, ëndrra të ndërprera dhe familje, jeta e të cilave ndryshoi përgjithmonë”, u shpreh Berishaj.
Ai shtoi se, ndonëse koha mund ta zbusë dhimbjen, kujtesa për viktimat duhet të mbetet e gjallë, ndërsa kjo pllakë përkujtimore do të shërbejë si dëshmi e përhershme e respektit për jetët e humbura dhe si kujtesë për rëndësinë e përgjegjësisë në komunikacion.
Në ceremoni morën pjesë edhe Përfaqësuesi Special i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, Genc Metaj, prefekti i Qarkut Brod-Posavinë, dr. Danijel Marušić, përfaqësues të autoriteteve kroate e kosovare, familjarë të viktimave dhe qytetarë të shumtë.
Pllaka përkujtimore u vendos nën përkujdesjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kroaci, në nderim të dhjetë qytetarëve që humbën jetën në tragjedinë e 25 korrikut 2021.
Ja postimi plotë:
Nën përkujdesjen e Ambasadës së Republikës së Kosoves në Kroaci, në Sllavonski Brod u zbulua pllaka përkujtimore në nderim të viktimave të aksidentit tragjik rrugor
Në një ceremoni solemne të organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë, sot në Sllavonski Brod u zbulua pllaka përkujtimore kushtuar dhjetë viktimave të pafajshme që humbën jetën në aksidentin tragjik rrugor të 25 korrikut 2021, një nga ngjarjet më të rënda që preku qytetarët e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë.
Në ceremoni morën pjesë Përfaqësuesi Special i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, z. Genc Metaj, Prefekti i Qarkut Brod-Posavinë, dr. Danijel Marušić, zëvendëskryetarja e Bashkisë së Slavonski Brodit, Martina Martić Puača, familjarë të viktimave, përfaqësues të institucioneve të të dy vendeve, si dhe qytetarë të shumtë, të cilët nderuan me respekt kujtimin e atyre që humbën jetën në këtë tragjedi.
Në fjalën e tij të rastit, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë, dr. Martin Berishaj, theksoi se zbulimi i kësaj pllake përkujtimore nuk është vetëm një akt simbolik, por një shprehje e përgjegjësisë sonë morale për të ruajtur kujtesën ndaj viktimave dhe për të dëshmuar se dhimbja e familjeve të tyre mbetet edhe dhimbja jonë e përbashkët.
Ai rikujtoi se atë mëngjes tragjik dhjetë familje mbetën pa më të dashurit e tyre, pesëmbëdhjetë persona pësuan lëndime të rënda, ndërsa tridhjetë të tjerë u lënduan më lehtë. “Pas këtyre shifrave nuk fshihen statistika, por fate njerëzore, ëndrra të ndërprera, fëmijëri të këputura dhe familje, jeta e të cilave ndryshoi përgjithmonë”, u shpreh Ambasadori dr. Berishaj.
Më tej, ai theksoi se koha mund ta zbusë dhimbjen, por nuk mund ta shuajë kujtesën, prandaj vende si ky janë të domosdoshme për t’u kujtuar brezave të ardhshëm se jeta e njeriut është e paçmueshme dhe se tragjeditë e tilla duhet të shërbejnë si thirrje për përgjegjësi dhe kujdes më të madh.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Metaj, shprehu mirënjohjen e tij të thellë për Republikën e Kroacisë, institucionet e saj të sigurisë, ekipet emergjente dhe të gjitha palët që kontribuan me profesionalizëm dhe përkushtim në menaxhimin e aksidentit tragjik në të cilin humbën jetën 10 persona. Ai u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave, duke theksuar se dhimbja e tyre mbetet një humbje e përbashkët. Sekretari nënvizoi se vendosja e kësaj pllake përkujtimore nuk është vetëm një akt nderimi për jetët e humbura, por edhe një kujtesë e përhershme për rëndësinë e mbrojtjes së jetës dhe shëndetit, si dhe një thirrje për përgjegjësi dhe kujdes të shtuar, me qëllim që tragjedi të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.
Një falënderim i veçantë iu drejtua edhe z. Adnan Vuniqi, mbështetja bujare e të cilit bëri të mundur realizimin e këtij projekti përkujtimor.
Në fund të ceremonisë Perfekti i Perfektures Brod – Posavje dr Marušić përcoll një mesazh i veçantë për familjet e viktimave, duke u theksuar se asnjë fjalë nuk mund ta lehtësojë dhimbjen dhe zbrazëtinë që ato mbartin prej pesë vitesh, por se ato nuk janë vetëm në këtë pikëllim. U nënvizua se kjo pllakë përkujtimore do të mbetet një kujtesë e përhershme për vlerën e çdo jete njerëzore dhe një thirrje e përbashkët që tragjedi të tilla të mos përsëriten më.
Qoftë i përjetshëm kujtimi i viktimave. Pushofshin në paqe!
#ambasadaekosoves
#MPJD
#MPB


