Deputeti i BDI-së, Blerim Bexheti, ka reaguar lidhur me çështjen e Alta Bankës, duke akuzuar Qeverinë aktuale të udhëhequr nga Hristijan Mickoski se po përpiqet të zhvendosë përgjegjësinë politike përmes interpretimit të dokumenteve të vitit 2023.
Bexheti thekson se procesverbali i vitit 2023, të cilit po i referohen përfaqësuesit e Qeverisë dhe VLEN-it, nuk dëshmon se qeveria e atëhershme e solli Alta Bankën në Maqedoninë e Veriut, por se institucionet shtetërore po ndërmerrnin veprime për mbrojtjen e pronës shtetërore.
Sipas tij, zhvillimet vendimtare për hyrjen e Alta Bankës në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut ndodhën gjatë vitit 2025, nën qeverisjen e Mickoskit.
Bexheti përmend disa data që, sipas tij, dëshmojnë përfshirjen e institucioneve aktuale:
1 shtator 2025 – Banka Popullore jep pëlqimin paraprak.
10 shtator 2025 – Komisioni për Letra me Vlerë miraton ofertën për blerjen e aksioneve të Stopanska Bankës në Manastir.
23 shtator 2025 – Qeveria, me propozim të ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, udhëzon 16 institucione dhe ndërmarrje publike të shqyrtojnë ofertën për aksionet që zotëronin.
16 tetor 2025 – Oferta shpallet e suksesshme, ndërsa Alta Banka siguron mbi 93 për qind të aksioneve të bankës në Manastir.
Deputeti i BDI-së gjithashtu i referohet deklaratave të guvernatorit Trajko Sllaveski, i cili, sipas Bexhetit, ka pranuar se për hyrjen e Alta Bankës në tregun maqedonas ishte konsultuar me kryeministrin Mickoski dhe ministren e Financave.
Në reagimin e tij, Bexheti ngre shqetësime edhe për zhvillimet e mëvonshme që lidhen me Alta Bankën në Serbi, duke përmendur çështjet e licencës bankare, procedurat e falimentimit dhe hetimet për dyshime për shkelje financiare.
Ai e lidh këtë çështje edhe me shqetësimet e shprehura në Parlamentin Evropian lidhur me ndikimin e projektit të ashtuquajtur „Bota Serbe“ në rajon dhe në Maqedoninë e Veriut.
Bexheti kërkon:
Hetim nga Prokuroria Publike, Policia Financiare dhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për vendimmarrjen gjatë vitit 2025.
Përgjegjësi politike nga guvernatori i Bankës Popullore, ministrja e Financave dhe drejtuesit e Komisionit për Letra me Vlerë.
Garanci dhe mbrojtje të plotë për depozituesit e Alta Bankës në Manastir.
Në përfundim, deputeti i BDI-së thekson se duhet bërë dallim mes veprimeve të vitit 2023, të cilat sipas tij kishin për qëllim mbrojtjen e pronës shtetërore, dhe vendimeve të vitit 2025, të cilat ai ia atribuon Qeverisë aktuale.
„Procesverbali i vitit 2023 tregon se qeveria e atëhershme mbronte pronën shtetërore nga Macura. Vendimet e vitit 2025 tregojnë se kjo Qeveri ia hapi derën. Këtë dallim nuk e fsheh asnjë spin“, është mesazhi i Blerim Bexhetit.
