Shoqata Atdhetare “Malësia e Madhe” në Michigan ka përkujtuar 56-vjetorin e Besëlidhjes së Malësisë për ndalimin e hakmarrjes, duke e cilësuar këtë ngjarje si një nga aktet më të rëndësishme të urtësisë, pajtimit dhe përgjegjësisë në historinë e Malësisë dhe të kombit shqiptar.
Në mesazhin e saj përkujtimor, shoqata thekson se Besëlidhja e Malësisë ishte një moment historik, kur burrat e Malësisë u ngritën mbi çdo interes personal dhe vendosën t’i japin fund hakmarrjes, duke zgjedhur rrugën e faljes, besës dhe bashkimit.
“Në një kohë kur hakmarrja kishte lënë plagë të rënda në shumë familje, u dëshmua se e ardhmja nuk mund të ndërtohej mbi gjak e armiqësi, por mbi pajtim dhe mirëkuptim. Ky ishte një vendim që kërkonte trimëri të jashtëzakonshme, sepse falja është forca më e madhe e njeriut,” thuhet në mesazh.
Shoqata shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë burrat e urtë, prijësit, klerikët dhe qytetarët që kontribuuan në këtë Besëlidhje historike, duke vlerësuar se vepra e tyre mbetet një shembull i përgjegjësisë shoqërore dhe kombëtare për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
Në përfundim të mesazhit, Shoqata Atdhetare “Malësia e Madhe” në Michigan uron 56-vjetorin e Besëlidhjes së Malësisë, duke shprehur dëshirën që fryma e pajtimit, besës dhe bashkimit të mbetet gjithmonë udhërrëfyes për Malësinë dhe për mbarë kombin shqiptar.
Ja postimi plotë:
Sot, me respekt e krenari, kujtojmë 56-vjetorin e Besëlidhjes së Malësisë për ndalimin e hakmarrjes – një akt i madh urtësie, pajtimi dhe përgjegjësie, që dëshmoi vlerat më të larta të popullit tonë.
Në një kohë kur hakmarrja kishte lënë plagë të rënda në shumë familje, burrat e Malësisë u ngritën mbi çdo interes personal dhe vendosën ta mbyllnin atë kapitull të dhimbshëm. Ata e kuptuan se nuk mund të ndërtohej e ardhmja mbi gjak, por mbi falje, besë dhe bashkim. Ky ishte një vendim që kërkonte trimëri më të madhe se vetë arma, sepse falja është forca më e lartë e një njeriu.
Shoqata Atdhetare “Malësia e Madhe”
në Michan,
shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata burra të urtë, prijës, klerikë dhe qytetarë që kontribuuan në këtë Besëlidhje historike. Vepra e tyre mbetet një nga shembujt më fisnikë të përgjegjësisë shoqërore dhe kombëtare.
Urime 56-vjetori i Besëlidhjes së Malësisë! Qoftë gjithmonë fryma e pajtimit dhe e bashkimit udhërrëfyesi i Malësisë dhe i mbarë kombit shqiptar.
