AKTUALE

Ali Ahmeti takon Edi Ramën në Ditën e Alfabetit: Bashkëpunimi kombëtar dhe e ardhmja evropiane në fokus

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka zhvilluar sot, më 22 Nëntor, një takim me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Përmes një mesazhi të publikuar pas takimit, Ahmeti bëri të ditur se biseda u zhvillua në frymë vëllazërore dhe me përkushtim ndaj çështjeve me interes të përbashkët kombëtar.

Në fokus të diskutimeve ishin thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve shqiptare, perspektiva evropiane, partneriteti në kuadër të NATO-s, si dhe sfidat e përbashkëta me të cilat përballen shqiptarët dhe rajoni.

Ahmeti theksoi se takimi merr një domethënie të veçantë edhe për shkak të datës së zhvillimit, 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.

Ai rikujtoi rëndësinë historike të këtyre datave, sakrificat ndër breza dhe domosdoshmërinë e bashkimit rreth gjuhës, flamurit dhe interesave kombëtare.

Në mesazhin e tij, Ahmeti nënvizoi se shqiptarët, kudo që jetojnë, kanë përgjegjësi të forcojnë lidhjet ndërmjet tyre, të ndërtojnë ura bashkëpunimi dhe të kontribuojnë së bashku për një të ardhme evropiane, të sigurt dhe me perspektivë.

Në fund, Ahmeti përcolli urimet për Ditën e Alfabetit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së frymës së bashkimit kombëtar.

Ja postimi plotë:

Sot pata kënaqësinë të takoj Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë dhe mikun tim, z. Edi Rama.

Me Edin, si gjithmonë, biseduam vëllazërisht, hapur dhe me përkushtim për çështjet me interes të përbashkët për kombin tonë shqiptar, për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona, për perspektivën evropiane, partneritetin në kuadër të NATO-s dhe përgjigjen e përbashkët ndaj sfidave me të cilat përballemi.

Ky takim merr një domethënie të veçantë edhe për faktin se zhvillohet më 22 Nëntor, në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, dhe në vigjilje të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.

Këto ditë të Nëntorit të Madh na rikujtojnë rrugëtimin tonë historik, sakrificat ndër breza dhe rëndësinë e bashkimit rreth gjuhës, flamurit dhe interesave tona kombëtare.

Shqiptarët, kudo që jetojnë, kanë arsye dhe përgjegjësi të ndërtojnë ura bashkëpunimi, të forcojnë lidhjet ndërmjet tyre dhe të kontribuojnë së bashku për një të ardhme evropiane, të sigurt dhe me perspektivë.

Gëzuar 22 Nëntorin dhe le të na bashkojë gjithmonë fryma e Nëntorit shqiptar!

Banner

Related posts

Mickoski për Fatmir Limanin: Në maj-qershor kemi rikonstruim qeverie!

Gjyla Halili

HALIL BERISHA, DOKTORI QË NUK E NËNSHKROI VETËVRASJEN  E TË TORTURUARIT XHEMAJLI BERISHA

Gjyla Halili

Ligji për ndalesë të praktikave jokorrekte tregtare para Komisionit juridiko-ligjvënës

Gjyla Halili