Shoqata Malësia e Madhe–NY ka shprehur indinjatën e saj të thellë lidhur me aktgjykimin e shpallur sot nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Në një reagim publik, shoqata e cilëson vendimin si një padrejtësi ndaj luftës së popullit shqiptar për liri dhe pavarësi, duke theksuar se, sipas qëndrimit të saj, historia e Kosovës nuk mund të shkëputet nga vuajtjet, sakrificat dhe rrethanat historike të viteve të luftës.
“Për ne, vendimi i sotëm përbën një njollë të zezë në sistemin e drejtësisë ndërkombëtare. E konsiderojmë të gjithë këtë proces një padrejtësi të rëndë ndaj luftës së popullit shqiptar për liri dhe pavarësi”, thuhet në reagimin e Shoqatës Malësia e Madhe–NY.
Shoqata shprehet gjithashtu se historia nuk mund të rishkruhet, duke kërkuar që vendimi të rishqyrtohet në shkallën e apelit.
“Shprehim shpresën që ky vendim të rishqyrtohet në shkallën e apelit dhe që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi të kthehen sa më shpejt në Kosovën e lirë, aty ku familjet dhe populli i pret”, vijon reagimi.
Dhomat e Specializuara të Kosovës shpallën sot aktgjykimin e shkallës së parë në çështjen ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së. Gjykata i gjeti ata penalisht përgjegjës për një sërë krimesh lufte, ndërsa të akuzuarit kanë të drejtë të apelojnë vendimin.
Në përfundim të reagimit, Shoqata Malësia e Madhe–NY ka bërë thirrje për pjesëmarrje në tubimin e paralajmëruar në Times Square, New York, në orën 18:00, ku, sipas shoqatës, do të shprehet qëndrimi ndaj aktgjykimit dhe mbështetja për ish-drejtuesit e UÇK-së.
“Lavdi luftës çlirimtare të popullit të Kosovës!”, përfundon reagimi i Shoqatës Malësia e Madhe–NY.
Ja postimi plotë:
Shoqata Malësia e Madhe-NY shpreh indinjatën e saj të thellë lidhur me aktgjykimin e sotëm ndaj ish drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për ne, vendimi i sotëm përbën një njollë të zezë në sistemin e drejtësisë ndërkombëtare. E konsiderojmë të gjithë këtë proces një padrejtësi të rëndë ndaj luftës së popullit shqiptar për liri dhe pavarësi.
Historia nuk mund të rishkruhet dhe as të gjykohet duke anashkaluar vuajtjet, sakrificat dhe rrethanat historike nëpër të cilat kaloi populli shqiptar në Kosovë.
Shprehim shpresën që ky vendim të rishqyrtohet në shkallën e apelit dhe që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi të kthehen sa më shpejt në Kosovën e lirë, aty ku familjet dhe populli i pret.
Ftojmë të gjithë shqiptarët që sot, në ora 6:00 PM, të bashkohen në Times Square, New York, për të shprehur qëndrimin e tyre ndaj këtij vendimi dhe për të mbështetur ish drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Lavdi luftës çlirimtare të popullit të Kosovës! 🇦🇱

