Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, priti në takim Prof. Dr. Recep Şentürk, autorin e librit “Adamija: Unë jam, prandaj kam të drejta dhe detyrime”, njëherësh dekan i Fakultetit të Studimeve Islame në Universitetin Hamad Bin Khalifa në Katar, si dhe Prof. Dr. Besnik Sinanin, drejtor i Institutit Konak dhe ligjërues të Teologjisë Islame në Universitetin e Tübingenit në Gjermani.
Reisul Ulema vlerësoi kontributin e Prof. Şentürk në fushën e studimeve islame dhe angazhimin e tij akademik, duke shprehur kënaqësinë për këtë vizitë. Ai theksoi rëndësinë e takimeve të tilla për forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet dijetarëve dhe institucioneve akademike e fetare.
Gjatë bashkëbisedimit, Reisul Ulema i informoi mysafirët për strukturën, veprimtarinë dhe kontributin e Bashkësisë Fetare Islame në jetën fetare dhe shoqërore në vend. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë që Islami i kushton dinjitetit njerëzor, respektimit të tjetrit dhe promovimit të tolerancës, paqes e bashkëjetesës. Këto vlera, sipas tij, janë veçanërisht të rëndësishme për shoqërinë tonë, e cila karakterizohet nga diversiteti fetar dhe etnik.
Pikërisht këto parime përbëjnë edhe boshtin e librit të Prof. Dr. Recep Şentürk, “Adamija: Unë jam, prandaj kam të drejta dhe detyrime”, në të cilin trajtohen dinjiteti universal i njeriut, të drejtat dhe përgjegjësitë e tij, si dhe marrëdhëniet njerëzore të bazuara në drejtësi dhe respekt të ndërsjellë.
Takimi ishte një mundësi e vlefshme për shkëmbim mendimesh dhe përvojash akademike, ndërsa në kuadër të vizitës, në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup u mbajt edhe prezantimi i librit, ku autori shpalosi idetë dhe tezat kryesore të veprës së tij.

