Lajme

Nënkryetari i Tetovës, Albi Qamili: Gjykata Kushtetuese po shfuqizon një vendim që BDI asnjëherë nuk e fuqizoi

Nënkryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, ka reaguar pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me emërtimin e rrugëve në Tetovë, duke e cilësuar atë si pasojë të drejtpërdrejtë të lëshimeve dhe zgjidhjeve të papërfunduara të qeverisjes së kaluar.

Sipas Qamilit, bëhet fjalë për një vendim që në praktikë nuk është zbatuar asnjëherë, pasi procedurat e nevojshme nuk janë përfunduar nga ata që e miratuan. Ai theksoi se sot po shfuqizohet një akt që nuk arriti kurrë të fitojë fuqi të plotë juridike për shkak të mosrespektimit të procedurave ligjore nga pushteti i atëhershëm.

“Është e qartë se kemi të bëjmë me një tjetër pasojë të politikave gjysmake të BDI-së. Vendimi që po shfuqizohet sot nuk u implementua asnjëherë dhe nuk u bë i plotfuqishëm pikërisht për shkak të mangësive procedurale të atyre që e sollën”, deklaroi Qamili.

Ai shtoi se Komuna e Tetovës tashmë ka ndërmarrë hapa konkretë për të zgjidhur këtë çështje në mënyrë të qëndrueshme. Për këtë qëllim, është formuar Komisioni për Riemërtimin e Rrugëve, i cili po punon intensivisht në përgatitjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse që do të reflektojë realitetin shoqëror, historik dhe kulturor të qytetit.

Qamili theksoi se administrata aktuale është e vendosur të mbyllë njëherë e mirë këtë proces me një zgjidhje ligjërisht të qëndrueshme, duke shmangur gabimet që, sipas tij, kanë prodhuar situatën aktuale.

“Qytetarët e Tetovës meritojnë vendime të qëndrueshme dhe jo improvizime politike që dështojnë sapo përballen me testin e ligjit”, përfundoi ai.

https://www.facebook.com/share/p/18vG7VFRpb/

Banner

Related posts

Kancelari gjerman Merz në Tivat: BE-ja duhet të tregojë vullnet politik për zgjerimin

Admin2

Doc.Dr. Valon Ameti: Alarm për Maqedoninë e Veriut: Pagat rriten, por qytetarët varfërohen

Admin2

Shkëlzen, Liri, dhe Argita Berisha mbeten “non -grata” (bashkë me Sali Berishën)? Çfarë fshihet pas zhurmës për heqjen e “non grata”-s

Admin2