Lajme

Vilson Sinishtaj: Tuzi dëshmoi një të vërtetë të madhe – shqiptarët fitojnë vetëm kur janë të bashkuar

Politikologu Vilson Sinishtaj vlerëson se shembulli i Tuzit dëshmon qartë se bashkimi politik dhe kombëtar i shqiptarëve është çelësi i suksesit në Malësi dhe në të gjitha trevat shqiptare nën Mal të Zi.

Duke iu referuar zhvillimeve të viteve të fundit, Sinishtaj thekson se rezultatet e arritura nuk janë rastësi, por produkt i një vizioni të përbashkët ku interesi kombëtar është vendosur mbi interesat personale dhe partiake.

“Shtëpia e përçarë brenda vetes nuk mund të qëndrojë”, kujton ai, duke nënvizuar se pikërisht bashkimi i shqiptarëve rreth Forumit Shqiptar ka bërë që Tuzi të shndërrohet nga një komunë e anashkaluar në një faktor të rëndësishëm politik, institucional dhe zhvillimor.

Sipas tij, sot në Tuz flitet dhe veprohet shqip më shumë se kurrë. Janë realizuar investime të rëndësishme në infrastrukturë, arsim, shërbime publike dhe zhvillim lokal, ndërsa shumë të rinj shqiptarë kanë gjetur hapësirë për t’u punësuar dhe për të fituar përvojë institucionale.

“Duhet të kujtojmë se ku ishim dhe çfarë na solli bashkimi. Këto arritje nuk duhet të merren si të mirëqena. Përkundrazi, ato duhet të shërbejnë si motiv për të forcuar edhe më tej përfaqësimin politik shqiptar”, shprehet Sinishtaj.

Ai paralajmëron se përçarjet, ambiciet personale dhe projektet politike të krijuara për të fragmentuar votën shqiptare rrezikojnë të dobësojnë zërin e shqiptarëve në Mal të Zi.

“Tuzi tregoi se kur shqiptarët bashkohen, bëhen faktor. Kur ndahen, humbin peshë politike dhe mundësi zhvillimi. Prandaj rruga e bashkimit duhet të vazhdojë jo vetëm në Malësi, por edhe në Ulqin, Plavë, Guci, Tivar e Rozhajë”, thekson ai.

Në fund, Sinishtaj shpreh bindjen se amaneti kombëtar kërkon përgjegjësi, unitet dhe vizion afatgjatë, duke shtuar se vetëm përmes bashkimit shqiptarët mund të ruajnë identitetin, të forcojnë institucionet dhe të ndërtojnë një të ardhme më të sigurt për brezat që vijnë.

Ja postimi plotë:

“Shtëpia e përçarë brenda vetes nuk mund të qëndrojë.” Abraham Lincoln,

FORUMI SHQIPTAR: BASHKIMI E BËRI TUZIN FAKTOR

Prej vitit 2019, Tuzi e ka dëshmuar qartë se çfarë prodhon bashkimi kur interesi kombëtar vendoset mbi interesat personale.

Tuzi sot flet shqip. Administrata mendon shqip. Janë bërë rrugë të reja, shkolla, ujësjellës, ndriçim, parqe dhe shërbime që qytetarëve u kishin munguar. Dinjiteti ynë i mohuar është ngritur më fort se kurrë. Gjergj Kastrioti qëndron në sheshin e vet, në tokën e vet. Deçiqi, me Arenën Besa, garon në Evropë. Qindra shqiptarë janë punësuar dhe po fitojnë përvojë institucionale që u ishte mohuar.

Kjo nuk është pak. Por nuk mjafton.

Nuk duhet të harrojmë ku ishim. Nuk duhet të harrojmë çfarë na solli bashkimi. Dhe mbi të gjitha, nuk duhet të harrojmë ku duhet të shkojmë. Sepse amaneti kombëtar nuk i përket vetëm historisë; ai thërret edhe brezin tonë.

Forumi shqiptar sot i përfaqëson shqiptarët nën Mal të Zi më fort, më qartë dhe më denjësisht se kurrë më parë. Kjo rrugë duhet të forcohet, jo të copëzohet. Kush e vendos interesin kombëtar mbi interesin personal, duhet t’i bashkohet.

Shteti nuk do t’i ndalë veset e vjetra. Do të shpikë parti “shqiptare”, ankesa, intriga dhe ndasi të reja. Por Malësorët e njohin veten. E njohin të kaluarën. E njohin lojën. Ujku në lëkurë të qengjit, ujk mbetet.

Prandaj mesazhi është i thjeshtë: kush kërkon të ardhme shqiptare në këtë toke shqiptare nuk mund ta ndërtojë mbi përçarje, ego personale apo parti të shpikura për ta dobësuar zërin tonë. Tuzi tregoi se kur shqiptarët bashkohen, nuk mbeten vetëm pjesë e lojës politike por bëhen faktor. Të ndarë, humbim peshë. Të bashkuar, fitojmë dinjitet, institucione dhe drejtim.

Malësia prapë pishtare, me shpresë që edhe Ulqini, Plava, Gucia, Tivari dhe Rozhaja ta vlerësojnë forcën e bashkimit dhe ta ndjekin rrugën që na bën më të fortë, më të përgatitur dhe më të vendosur për ta çuar deri në fund amanetin kombëtar.
Rrnoft Shqypnia 🇦🇱🇦🇱🇦🇱🇦🇱

Banner

Related posts

Dy kryeshefat e policisë së Tetovës në vijën e parë të luftës kundër krimit dhe dhunës në familje

Admin2

Gjykata austriake dënon me 15 vjet burg Beran A, dy vite më parë planifikonte sulm në koncertet e Taylor Swift në Vjenë

Admin2

Qamili: Për herë të parë do të ketë përfaqësim edhe në avancime, nuk ka më 20 vjet “bashkëpunëtor i ri”

Admin2

Leave a Comment