Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, ka bërë të ditur se në buxhetin kapital për vitin 2027 është përfshirë projekti për ndërtimin e ujësjellësit Llofkë–Selishtë–Triesh, me vlerë prej 1.4 milionë eurosh.
Sipas Gjelajt, përfshirja e këtij projekti në buxhet është bërë me propozimin e Komunës së Tuzit dhe Forumit Shqiptar, ndërsa realizimi i tij pritet të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me ujë për banorët e kësaj zone.
Projekti parasheh ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit nga Selishta deri në Triesh, duke krijuar një infrastrukturë të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre trevave.
Gjelaj thekson se investimi nuk është i rëndësishëm vetëm për përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve, por edhe për krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e turizmit malor dhe fuqizimin e infrastrukturës në zonat rurale.
“Hap pas hapi, e gjithë Malësia do të jetë e lidhur në rrjetin e ujësjellësit”, është shprehur kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj.
