Shoqata Humanitare „El-Hilal“ zhvilloi takimin e dhjetë me radhë të Këshillit Drejtues në përbërjen aktuale, ku u shqyrtuan dhe u miratuan aktivitetet e realizuara gjatë periudhës së verës, si dhe u diskutua për planet dhe angazhimet e ardhshme të shoqatës.
Kryetari i Shoqatës Humanitare „El-Hilal“, Behixhudin Shehapi, bëri të ditur se gjatë takimit vëmendje e veçantë iu kushtua edhe sfidave dhe çështjeve aktuale që preokupojnë shoqërinë.
„Përveç aktiviteteve të realizuara gjatë periudhës së verës, në këtë takim diskutuam edhe për projeksionet e ardhshme, sfidat dhe aktualitetet që e preokupojnë shoqërinë tonë shumëngjyrëshe. Synimi ynë është që përmes angazhimit të vazhdueshëm të kontribuojmë në tejkalimin e vështirësive dhe në forcimin e solidaritetit e të kohezionit social“, u shpreh Shehapi.
Shoqata Humanitare „El-Hilal“, e cila vepron përmes 16 degëve, vijon aktivitetin e saj vullnetar në hapësirat ku është e pranishme, duke u fokusuar në mbështetjen e qytetarëve, forcimin e lidhjeve shoqërore dhe ruajtjen e vlerave autoktone.
Sipas Shehapit, puna e shoqatës do të vazhdojë me përkushtim edhe në periudhën e ardhshme, me synimin që të përmbushen përgjegjësitë dhe objektivat e përcaktuara nga strukturat e saj.
Ja postimi plotë:
Në takimin e radhës, të dhjetin me radhë, të Këshillit Drejtues të El Hilalit në këtë përbërje, përveç shqyrtimit dhe miratimit të aktiviteteve të realizuara gjatë periudhës së verës, diskutuam edhe për projeksionet e ardhshme, sfidat dhe aktualitetet që e preokupojnë shoqërinë tonë shumëngjyrëshe.
Me 16 degët e saj, kjo organizatë vullnetare, mbetet e angazhuar në hapësirat tona për arritjen e kohezionit social, tejkalimin e vështirësive dhe ruajtjen e vlerave autoktone.

