AKTUALE

HISTORIKE: DIPLOMAT NË GJUHËN SHQIPE NJIHEN PA PËRKTHIM NË MAL TË ZI

Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, ka përshëndetur vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, me të cilin diplomat e fituara në gjuhën shqipe do të pranohen dhe trajtohen pa nevojën e përkthimit gjatë procedurave të njohjes dhe barazimit në Mal të Zi.

Camaj e ka cilësuar këtë si një arritje të rëndësishme për shqiptarët në Mal të Zi dhe një hap konkret drejt barazisë së plotë institucionale, duke theksuar se një padrejtësi administrative që ka rënduar për vite me radhë mbi studentët dhe të diplomuarit në gjuhën shqipe po merr fund.

“Pas një angazhimi të vazhdueshëm institucional dhe politik, sot kemi një zgjidhje konkrete që garanton trajtim të barabartë për diplomat në gjuhën shqipe. Kjo është një fitore e arsimit, e barazisë dhe e respektimit të të drejtave të qytetarëve,” deklaroi Camaj.

Ai shprehu falënderim për ministren Angjella Jakshiq Stojanoviq dhe rektorin e Universiteti i Malit të Zi, Vlladimir Bozhoviq, për kontributin e tyre në realizimin e këtij vendimi, i cili siguron që diplomat e fituara në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe në qendra të tjera universitare në gjuhën shqipe të kenë të njëjtin status si diplomat e fituara në Mal të Zi.

Sipas Camajt, ky vendim nuk është vetëm një lehtësim administrativ, por edhe një mesazh i qartë se institucionet e Malit të Zi po forcojnë standardet e barazisë, respektimit të diversitetit gjuhësor dhe vlerave evropiane.

“Ky është një sukses i përbashkët dhe një dëshmi se dialogu, përkushtimi dhe puna e vazhdueshme japin rezultate. Do të vazhdojmë të punojmë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe për krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët,” përfundoi Camaj.

Ja postimi plotë:

🇦🇱
DIPLOMAT SHQIP TË PRANUESHME PA PËRKTHIM

Me këtë rast shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, në krye me ministren, znj. Angjella Jakshiq Stojanoviq, për marrjen e vendimeve që përmirësojnë procedurat e barazimit të kualifikimeve arsimore të fituara jashtë vendit. Falënderim meriton edhe rektori i Universitetit të Malit të Zi, prof. dr. Vlladimir Bozhoviq, i cili dha kontributin e vet që diplomat të trajtohen në mënyrë të barabartë, pavarësisht gjuhës në të cilën janë fituar, e që është në përdorim zyrtar në Malin e Zi. Kështu, diploma e fituar në Tiranë, Prishtinë, Shkup apo në çdo qendër tjetër universitare në gjuhën shqipe gëzon të njëjtin status dhe trajtim si diploma e fituar në Podgoricë, Beograd, Zagreb, Sarajevë…

Në veçanti e vlerësoj rëndësinë që këto ndryshime kanë për qytetarët që kanë përfunduar studimet në gjuhën shqipe dhe që për vite me radhë janë përballur me vështirësi administrative në procesin e njohjes dhe barazimit të diplomave të tyre. Këto masa përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt garantimit të trajtimit të barabartë, respektimit të të drejtave arsimore dhe krijimit të mundësive të barabarta për të gjithë.

Më duhet të theksoj se në kët drejtim kam kontribuar vazhdimisht, duke kërkuar zgjidhje konkrete për problemet me të cilat përballeshin mbajtësit e diplomave në gjuhën shqipe. Që në takimin tonë të parë, ministrja e njohu rëndësinë e kësaj çështjeje dhe premtoi se do të angazhohej për zgjidhjen e saj.

Sot më vjen mirë të konstatoj se ky premtim është realizuar dhe se janë ndërmarrë hapa konkretë që kanë çuar në zgjidhjen e një problemi që ka prekur për një kohë të gjatë shumë studentë dhe të diplomuar. Prandaj, e mirëpres këtë avancim si një rezultat të rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të pozitës së tyre dhe forcimit të barazisë në sistemin arsimor dhe institucional të Malit të Zi.

Mbetem i përkushtuar që edhe në të ardhmen të mbështes çdo iniciativë që garanton respektimin e të drejtave të studentëve dhe të diplomuarve në gjuhën shqipe, si një kontribut i rëndësishëm për integrimet evropiane dhe ndërtimin e një shoqërie të barabartë për të gjithë.

Banner

Related posts

BDI proteston në Kuvend derisa flet Mickoski

Gjyla Halili

6 arsye pse duhet ta nisni ditën me një shëtitje në mëngjes!

admin

Mbi 8% qytetarë kanë votuar deri në ora 11:00

Gjyla Halili