Nga Sefer SELIMI
Lista Studentore dje i dha fund qeverisjes 14-vjeçare të Aleksandar Vuçiqit, një autokrati që zaptoi pothuajse çdo pore të shoqërisë serbe dhe e ktheu Serbinë në trampolinë të politikave ruse dhe kineze në Ballkan.
Kjo humbje gjithsesi do t’i tronditë edhe strukturat e ndikimit rus dhe kinez, por vështirë se do t’i çrrënjosë përfundimisht. Sepse instalimi i tyre nuk është vetëm shtetëror, por edhe shoqëror. Një pjesë e shoqërisë serbe i pranon këto ndikime dhe në shumë raste i favorizon. Dallimi mund të jetë vetëm në mënyrën e veprimit. Këto struktura mund të bëhen më të kujdesshme dhe të operojnë më larg syve të publikut sesa kanë vepruar deri tani.
E dyta, orientimi i mundshëm proevropian i Listës Studentore mund ta kthejë Serbinë në një rrugë më të shpejtë drejt integrimit evropian. Kancelaritë evropiane do të kenë interes ta mbështesin qeverinë e re serbe dhe t’i japin shtytje procesit të integrimit. Kjo mund të ketë efekte pozitive për rajonin në planin afatshkurtër, por njëkohësisht mund të krijojë një situatë të pafavorshme për Kosovën, e cila rrezikon të mbetet prapa, bashkë me Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën.
E treta, Shqipëria rrezikon të humbasë përparësinë që aktualisht ka ndaj Serbisë në procesin e integrimit evropian. Nëse Shqipëria arrin ta ruajë ritmin e negociatave dhe të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, posaçërisht përpara Serbisë, kjo do të ndryshonte rrënjësisht raportet gjeopolitike në Ballkan dhe do t’u jepte shqiptarëve një pozitë tjetër në rajon.
Prandaj, për Shqipërinë, ruajtja e këtij ritmi është një interes strategjik që shkon përtej politikës së brendshme dhe mandateve të qeverive. Çdo vonesë ka koston e vet, sidomos nëse Serbia arrin ta përshpejtojë procesin e integrimit.
E katërta, një provë konkrete për ndryshimin e politikës serbe do të jetë trajtimi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Pasivizimi i adresave, diskriminimi në përfaqësimin institucional, pengesat në përdorimin e gjuhës shqipe dhe mungesa e investimeve nuk janë probleme që zgjidhen thjesht me ndërrimin e pushtetit në Beograd. Lista Studentore do të duhet të dëshmojë nëse ndryshimi që premton për demokracinë serbe vlen edhe për qytetarët shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Përndryshe, mund të kemi një Serbi me qeveri të re, me imazh më demokratik dhe me mbështetje më të madhe evropiane, por me të njëjtën politikë ndaj shqiptarëve.
Rënia e Vuçiqit mund të jetë një lajm i mirë për demokracinë në Serbi, por kjo nuk do të thotë automatikisht se është një fitore gjeopolitike për shqiptarët. Ndryshimi i pushtetit në Beograd nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshimin e politikës serbe ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.
Për shqiptarët pyetja nuk është vetëm kush e qeveris Serbinë, por çfarë politike do të ndjekë Serbia ndaj tyre.
