AKTUALE

Shoqata Malësia e Madhe New York – Mbi 32 Vjet në Shërbim të Kombit

Shkruan: Gjon Ivezaj

Janari i vitit 1994 shënon një datë të rëndësishme në historinë e komunitetit shqiptar në New York. Pikërisht atëherë filloi në mënyrë të organizuar veprimtaria e komunitetit malësor në New York, duke u bërë organizimi i parë i këtij lloji. Ky organizim i dha fund një periudhe kur aktivitetet zhvilloheshin kryesisht në mënyrë sporadike dhe krijoi një institucion të qëndrueshëm, i cili do të bëhej adresa kryesore e veprimtarisë patriotike, kulturore dhe humanitare të malësorëve në New York.

E lindur nga dashuria për vendlindjen dhe përgjegjësia ndaj kombit, Shoqata Malësia e Madhe New York e nisi rrugëtimin e saj duke iu përgjigjur nevojave më urgjente të njerëzve në trojet tona. Në vitet e para, ajo ndihmoi familje në nevojë, mbështeti të sëmurë dhe financoi trajtime mjekësore për të rinj malësorë që kishin nevojë për kujdes shëndetësor. Më vonë, duke kuptuar se investimi në arsim është investimi më i sigurt për të ardhmen, Shoqata përqendroi një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë së saj në ndarjen e bursave për studentët. Përmes këtij programi janë mbështetur qindra të rinj e të reja, të cilët sot përbëjnë një kapital të çmuar intelektual për vendin tonë.

Në të njëjtën kohë, Shoqata u bë një zë i fuqishëm në mbrojtjen dhe afirmimin e çështjes shqiptare në Mal të Zi. Për vite me radhë ajo bashkëpunoi ngushtë me faktorët politikë shqiptarë në Malësi, duke mbështetur përpjekjet për avancimin e të drejtave kombëtare dhe qytetare të shqiptarëve. Një nga objektivat më të rëndësishëm ishte rikthimi i statusit të Komunës së Tuzit, një kërkesë e drejtë dhe historike e shqiptarëve të Malësisë. Në këtë proces, Shoqata dha kontributin e saj moral, politik dhe organizativ, duke mbajtur të gjallë kauzën e vetëqeverisjes lokale dhe administrimin shqip të saj.

Duke marrë parasysh se shteti e kishte lënë për shumë vite pas dore këtë trevë, Shoqata, në bashkëpunim me shoqata të tjera malësore, dha një kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës së saj. Ajo ndihmoi në ndërtimin e monumenteve dhe qendrave kulturore që identifikojnë, ruajnë dhe promovojnë trashëgiminë historike e kulturore të Malësisë. Poashtu, Shoqata merrej edhe me shumë aktivitete tjera të kësaj natyre që impononte imperativi I kohës.

Kur Kosova po kalonte ditët më të vështira të historisë së saj, Shoqata Malësia e Madhe New York u vu tërësisht në shërbim të kauzës së lirisë. Që para shpërthimit të luftës e deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës, veprimtaria e saj u përqendrua në sensibilizimin e opinionit amerikan dhe ndërkombëtar për dramën që po përjetonte populli shqiptar. Në bashkëpunim me organizatat shqiptare në Amerikë, ajo organizoi demonstrata, protesta, tubime dhe takime të shumta pranë Kombeve të Bashkuara në New York dhe institucioneve më të larta amerikane në Washington. Këto veprimtari shërbyen për të paraqitur të vërtetën mbi luftën e drejtë të shqiptarëve dhe për të kërkuar ndërhyrjen e bashkësisë ndërkombëtare. Priti dhe përcolli delegacione të ndryshme që vinin për të denoncuar padrejtësitë që ushtroheshin në trojet tona. Organizoj darka solemne për pjesëtarët e komunitetit dhe mysafirët e ftuar, duke nxitur bashkëpunimin dhe forcimin e lidhjeve shoqërore dhe kulturore.

Kontributi i Shoqatës nuk u kufizua vetëm në këto aktivitete. Nga gjiri i saj dhe komunitetit tonë dolën edhe ushtarë të lirisë, të cilët iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata u rreshtuan në Batalionin Atlantiku dhe morën armët në mbrojtje të lirisë së Kosovës, duke shkruar me guxim dhe sakrificë një nga faqet më të ndritura të historisë së diasporës shqiptare.

Përgjatë gjithë këtyre viteve, Shoqata ka qenë gjithashtu një vatër e rëndësishme e ruajtjes së identitetit kombëtar në diasporë. Përmes organizimit të akademive përkujtimore, shënimit të datave historike, promovimit të librave dhe bashkëpunimit me organizata, shoqata dhe qendra fetare shqiptare, ajo ka kontribuar në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave tona kombëtare. Këto aktivitete kanë ndihmuar që brezat e rinj të mos humbin lidhjen me rrënjët e tyre dhe të ndihen krenarë për trashëgiminë shqiptare.

Sot, pas më shumë se tri dekadash veprimtari, Shoqata Malësia e Madhe New York vazhdon të mbetet një ndër institucionet më të respektuara të diasporës shqiptare në Amerikë. Ajo vazhdon misionin e saj me të njëjtin idealizëm, përkushtim dhe përgjegjësi që e karakterizuan që në ditët e para të themelimit. E gjithë kjo është bërë e mundur falë zemërgjerësisë, unitetit dhe shpirtit fisnik të mërgatës sonë.

Historia e saj është histori e dashurisë për atdheun, e solidaritetit njerëzor dhe e përkushtimit ndaj interesave kombëtare. Është historia e një brezi që, ndonëse larg trojeve shqiptare, nuk ndali kurrë së punuari për vendlindjen, për kombin dhe për të ardhmen e shqiptarëve kudo që jetojnë.

Ky mision vazhdon me besim, krenari dhe përgjegjësi, duke u përcjellë ndër brezat që vijnë.

Në foto, me kryetarin aktual të Shoqatës Senad Lulanaj së bashku me aktivist gjatë Piknikut tradicional të shqiptarëve në State Island.

Banner

Related posts

Përplasja Mickovski – Kasami, hija e Izet Mexhitit dhe sinjali i Adnan Azizit!

Gjyla Halili

Dukaj falënderon Makronin për mbështetjen dhe partneritetin në sigurinë kibernetike

Gjyla Halili

“Aditivët” / Dimitrovska nuk jep dorëheqje, thotë se nuk ndjehet fajtore

Gjyla Halili