AKTUALE

Behixhudin Shehapi: Samiti i NATO-s në Ankara dhe mesazhi i simbolikës shtetërore

Behixhudin Shehapi ka ndarë një analizë mbi Samitin e NATO-s në Ankara, duke vlerësuar organizimin ceremonial dhe rolin e simbolikës historike në paraqitjen e një shteti në arenën ndërkombëtare.

Në shkrimin e tij, Shehapi thekson se Turqia, përmes organizimit të samitit dhe protokollit shtetëror, dëshmoi traditën e saj të gjatë në fushën e diplomacisë dhe ceremonialeve zyrtare.

Ai veçon veçanërisht paraqitjen simbolike të gardës me elemente të traditës së jeniçerëve gjatë ceremonisë së pritjes, duke e parë këtë si një shprehje të lidhjes mes historisë dhe identitetit bashkëkohor të shtetit turk.

Sipas Shehapit, simbolikat shtetërore shpesh kanë një ndikim të fuqishëm në komunikimin politik dhe diplomatik, duke përcjellë mesazhe përtej fjalëve.
Duke iu referuar trashëgimisë historike të shteteve të mëdha, ai vlerëson se ruajtja e elementeve të traditës ndihmon në forcimin e vazhdimësisë së identitetit dhe imazhit të një vendi në kohë.

“Në kohët moderne, perandoritë nuk vdiqën; ato u transformuan”, shkruan Shehapi, duke e lidhur këtë ide me mënyrën se si historia vazhdon të ndikojë në kulturën politike të shteteve moderne.

Ja postimi plotë:

Samiti i NATO -s

E ndoqa me një interes të veçantë Samitin e NATO-s në Ankara. Turqia edhe një herë dëshmoi se kulturën e organizimit protokollar e ka trashëguar nga tradita e saj perandorake. Ajo është shteti i dytë më i fuqishëm në NATO, pas SHBA-ve. Me një lider autoritativ dhe i fuqishëm, mikpritës i shkëlqyer, për nder të të cilit edhe presidenti Trump vendosi të vijë në Ankara.
Ajo që më la më shumë përshtypje në pritjen ceremoniale ishte paraqitja e gardës elitare të ushtarëve jeniçerë, të cilët, pas plot 200 vjetësh nga shuarja e tyre me reformat në ushtrinë osmane, u rikthyen në skenë, kësaj radhe në formë simbolike, në ceremoninë e pritjes së mysafirëve.
Simbolikat, ndonjëherë, përcjellin më shumë sesa mund të shprehë fjala. Ashtu siç e praktikojnë Mbretëria e Bashkuar në Buckingham Palace ose Franca moderne në Pallatin Élysée.
Më kujtohet thënia e një shkrimtari anglez:
“Në kohët moderne, perandoritë nuk vdiqën; ato u transformuan.”
Kultura perandorake e fuqizon kredibilitetin historik të një shteti dhe e ndihmon atë të ruajë vazhdimësinë e identitetit të vet në kohë.

Banner

Related posts

Rama publikon orën dhe vendin e takimit me shqiptarët në Athinë

Gjyla Halili

Ash: Policia e VMRO-LEN arrestoi gazetarin, partnerët derdhin lotë krokodili

Gjyla Halili

Kërcënimi për dialogun, Osmani kritikohet për gjuhë jodiplomatike

admin