AKTUALE

Arbër Ademi: Një ditë, pesë dëshmi dhe një përgjegjës – VLEN

Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike, duke akuzuar koalicionin VLEN për, siç thotë ai, goditje ndaj shqiptarëve dhe parimit të barazisë.
Ademi, përmes një reagimi publik, rendit pesë zhvillime që, sipas tij, kanë ndodhur vetëm gjatë ditës së sotme.
Sipas tij, në shkollën “Penko” në Butel është mbyllur paralelja në gjuhën shqipe, edhe pse interesimi i nxënësve shqiptarë është i madh, ndërsa janë lejuar paralele me vetëm dy, katër apo gjashtë nxënës.
Ademi gjithashtu ka ngritur shqetësime për përfaqësimin e shqiptarëve në Akademinë Policore. Ai pretendon se nga 310 kandidatët e pranuar, vetëm nëntë janë shqiptarë.
Në reagimin e tij, nënkryetari i BDI-së kritikon edhe partneritetin politik të VLEN-it me një parti serbe, duke e akuzuar atë për glorifikimin e Ratko Mlladiqit, i dënuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.
Ademi e lidh me këtë edhe Drejtorinë e Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve. Ai pretendon se drejtori i këtij institucioni shtetëror ka glorifikuar Ratko Mlladiqin, Draža Mihailoviqin dhe figura të tjera të lidhura me të njëjtën ideologji, duke theksuar se drejtori është emëruar nga VLEN.
“Për ‘Botën Serbe’ tashmë nuk kemi nevojë për shpjegime. Po e shohim çdo ditë se sa larg ka depërtuar dhe sa shumë kontrollon”, ka shkruar Ademi.
Në përmbyllje të reagimit, ai e akuzon VLEN-in për heshtje përballë këtyre zhvillimeve dhe e cilëson koalicionin si “marionetë”.
“Një ditë. Pesë dëshmi. Një përgjegjës. VLEN”, përfundon reagimi i nënkryetarit të BDI-së, Arbër Ademi.

Ja postimi plotë:

Vetëm gjatë ditës së sotme:

1. Mbyllet paralelja në gjuhën shqipe në shkollën „Penko“ në Butel, edhe pse interesimi i nxënësve shqiptarë është i madh, ndërkohë që lejohen paralele me nga 2, 4 apo 6 nxënës.

2. Nga 310 të pranuar në Akademinë Policore, vetëm 9 janë shqiptarë.

3. Partia serbe, partneri i VLEN-it në Qeveri, glorifikon kryekriminelin Ratko Mlladiq, të dënuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.
VLEN votoi për qeveri të përbashkët me këtë parti.

4. Drejtori i Agjencisë për realizimin e të drejtave të komuniteteve, institucion shtetëror përgjegjës për realizimin, avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, glorifikon Ratko Mlladiqin, Draža Mihailovićin dhe figura të tjera të së njëjtës ideologji.
VLEN e ka emëruar aty.

5. Për „Botën Serbe“ tashmë nuk kemi nevojë për shpjegime. Po e shohim çdo ditë se sa larg ka depërtuar dhe sa shumë kontrollon.

Miq të dashur,

Të gjitha këto zhvillime, të gjitha këto poshtërime, të gjitha këto goditje ndaj shqiptarëve dhe ndaj parimit të barazisë, kanë ndodhur brenda një dite.

Dhe të gjitha kanë një adresë politike:

MARIONETA VLEN.

Kjo është ajo që na e shitën si „ndryshim“. Ndryshim për kë? Sepse për shqiptarët, sot po shohim vetëm mbyllje të paraleleve, përfaqësim të padrejtë, glorifikim të kriminelëve dhe heshtje të VLEN-it.

Një ditë. Pesë dëshmi. Një përgjegjës.
VLEN.

Banner

Related posts

Ilas Veseli: Me sukses e përmbyllëm promovimin e Shtegut të Biçikletave në Kanjonin e Matkës

Gjyla Halili

Filipçe: Do të bisedojmë me të gjitha partitë dhe do t’i kemi parasysh mësimet nga koalicionet e mëhershme

Gjyla Halili

Bexheti drejtuar Mickoskit: Nuk keni të drejtë t’i izoloni etnitetet nga anëtarësimi në BE! Ata që i ke afër thanë se do të dalin nga qeveria nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese për 6 muaj

Gjyla Halili