Në kuadër të projektit “Ëndërro, zbulo, dhuro vakëf”, një delegacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve e Republikës së Türkiyes, i kryesuar nga z. Halil İbrahim Sezer, përfaqësues i Departamentit për Marrëdhënie me Jashtë, qëndroi për vizitë në Tetovë.
Delegacioni u mirëprit në ambientet e Institutit të Hifzit në Tetovë nga Myftiu i Tetovës, në praninë e dr. Furkan Shaban, drejtor për marrëdhënie me Türkiyen pranë Rijasetit të BFI-së, Mahmud ef. Emini, referent i Myftinisë së Tetovës, Mr.Fejzullah ef. Sadiki drejtor i sektorit fetaro-arsimor, Mr. Musanif ef. Rufati drejtor i sektorit për kulturë si dhe hfz. Baki ef. Kasami, drejtor i Institutit të Hifzit.
Gjatë takimit u zhvillua një bashkëbisedim i frytshëm rreth veprimtarisë së Myftinisë së Tetovës, projekteve të realizuara dhe atyre në zhvillim, si dhe perspektivave të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Vëmendje e veçantë iu kushtua themelimit dhe funksionimit të instituteve të hifzit, rëndësisë së tyre në edukimin kuranor të gjeneratave të reja dhe krijimit të një tradite të qëndrueshme institucionale për mësimin përmendësh të Kur’anit Famëlartë. Mysafirët u njohën nga afër me punën e Institutit të Hifzit në Tetovë, organizimin e tij dhe aktivitetet edukativo-arsimore që zhvillohen në këtë institucion.
Në vazhdim të vizitës, delegacioni nga Türkiye pati mundësinë të njihet edhe me trashëgiminë e pasur fetare, historike dhe kulturore të Tetovës. Në këtë kuadër u vizituan Çarshia e Tetovës, Xhamia Eski, Medreseja e Vajzave, Xhamia e Pashës, Kompleksi Harabati Baba dhe xhamia në Kodrën e Diellit, si dhe pika të tjera me rëndësi për identitetin fetar dhe kulturor të rajonit.
Përfaqësuesit e Myftinisë së Tetovës falënderuan delegacionin e Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve të Türkiyes për vizitën dhe interesimin e treguar, duke vlerësuar lart bashkëpunimin ndërinstitucional dhe marrëdhëniet tradicionale ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë.
Në fund u shpreh gatishmëria e ndërsjellë që bashkëpunimi të vazhdojë dhe të thellohet edhe në të ardhmen, veçanërisht në fushën e vakëfeve, edukimit fetar, ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit të institucioneve që janë në shërbim të besimtarëve dhe shoqërisë.


