
Sot, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, zhvilloi një takim me Ambasadoren e Republikës së Sllovakisë në Maqedoninë e Veriut, SH.S. Iveta Hricová.
Gjatë takimit, Ahmeti shprehu shqetësimin e tij lidhur me atë që e cilësoi si erozion të Marrëveshjes së Ohrit, marrëveshje që ka garantuar paqen, karakterin multietnik dhe orientimin euro-atlantik të vendit.
Ai theksoi se sfidat aktuale nuk lidhen vetëm me frymën e marrëveshjes, por edhe me përpjekje për të prekur substancën e saj përmes ndryshimeve në ligje dhe mekanizma që garantojnë barazinë qytetare.
Ahmeti paralajmëroi se çdo hap prapa në këtë drejtim mund të ketë ndikim negativ në marrëdhëniet ndëretnike dhe në stabilitetin e vendit, si dhe të dëmtojë investimin strategjik të Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë në Maqedoninë e Veriut.
Në takim u theksua gjithashtu rëndësia e ndryshimeve kushtetuese si një hap kyç për forcimin e rrugës evropiane të vendit, si dhe për garantimin e sigurisë, të drejtave dhe perspektivës së të gjithë qytetarëve.


