Lajme

Vitin e kaluar në 147 shkolla nuk u regjistrua asnjë fillorist

Banner

Emigrimi masiv i familjeve të reja dhe rënia drastike e natalitetit po ndikojnë zymtë në zbrazjen e vendit, duke goditur drejtpërdrejt sistemin arsimor dhe duke lënë pa asnjë nxënës qindra objekte shkollore anembanë Maqedonisë së Veriut.

Kjo ka bërë që vetëm vitin e kaluar në 147 shkolla të vendit, kryesisht periferike të mos ketë asnjë fillorist të regjistruar në klasë të parë. Megjithatë, ministrja e Arsimit, Vesna Janevska thotë se mësimdhënësit po mbajnë vendet e tyre të punës.

“Qeveria po bën përpjekje përmes politikave dhe masave konkrete që të gjithë mësimdhënësit t’i mbajnë vendet e tyre të punës, përkundër faktit se numri i nxënësve ka rënë ndjeshëm në vitet e fundit, ndërsa vitin e kaluar në 147 shkolla periferike nuk u regjistrua asnjë nxënës. Ndër të tjera, për këtë arsye po vendosim mësimin me një ndërresë dhe qëndrimin e zgjatur në shkolla, me qëllim që mësimdhënësit të kenë aktivitete shtesë, fond të plotë të orëve dhe të marrin pagë të plotë. Në këtë proces po na ndihmojnë partnerët tanë të mëdhenj, UNICEF-i dhe Banka Botërore”, theksoi ministrja Janevska.

Në një periudhë prej pak më shumë se 20 vitesh, numri i nxënësve është zvogëluar për 28%, ndërsa në të njëjtën periudhë numri i mësimdhënësve është rritur për 46%.

“Si rezultat i kësaj, mesatarja nacionale ra nga 18 nxënës për mësimdhënës në 11.4 nxënës për mësimdhënës, krahasuar me mesataren e OECD-së që është 15 nxënës për mësimdhënës”, theksoi Janevska, duke shtuar se për shkak të kësaj gjendjeje, rreth 90%, e në disa komuna edhe deri në 100% e mjeteve për arsim shkojnë për paga, gjë që lë hapësirë minimale për investime në infrastrukturë, pajisje dhe zhvillim profesional.

Leave a Comment