Qeveria ka bërë të ditur se kompanitë financiare që ofrojnë kredi të shpejta do të detyrohen të kthejnë mbi 140 milionë denarë te më shumë se 26 mijë qytetarë në të gjithë vendin.
Zëdhënësja e Qeverisë, Miteva, tha se pas kontrolleve të kryera nga Inspektorati Shtetëror i Tregut në të gjitha 27 shoqëritë financiare të licencuara, janë konstatuar parregullsi dhe veprime të kundërligjshme në disa raste.
“E dinim se po hapnim një nga çështjet më të dhimbshme për shumë familje. Kur qytetarët mezi arrijnë të paguajnë faturat dhe këstet, çdo shpenzim shtesë dhe çdo paralajmërim e rrit edhe më shumë presionin mbi ta”, deklaroi Miteva.
Sipas saj, institucionet kanë punuar për katër muaj për të verifikuar mënyrën e funksionimit të kompanive të kredive të shpejta, ndërsa ky është kontrolli i parë i këtij niveli në këtë sektor.
Vendimet e miratuara obligojnë kompanitë të rikthejnë mjetet e paguara në mënyrë të paligjshme nga qytetarët, ndërsa detajet për shkeljet konkrete pritet të publikohen nga drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
