Me rastin e përvjetorit të veprimtarit dhe luftëtarit të lirisë, Gafurr Zendeli, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka përkujtuar me nderim figurën dhe kontributin e tij në rrugëtimin e popullit shqiptar drejt lirisë dhe dinjitetit kombëtar.
Ahmeti vlerësoi se Gafurr Zendeli i përkiste dy epokave të lavdishme të historisë sonë kombëtare, asaj të Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe epokës së Ushtrive Çlirimtare, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në periudha vendimtare për çështjen kombëtare.
“Kontributi dhe sakrifica e Gafurr Zendelit në rrugëtimin e popullit shqiptar drejt lirisë, barazisë dhe dinjitetit kombëtar mbeten të çmuara dhe të paharrueshme. Ai ishte një veprimtar i palodhur, i guximshëm dhe i përkushtuar, i cili me idealin dhe angazhimin e tij la gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë kombëtare”, theksoi Ahmeti.
Sipas tij, ndonëse Gafurr Zendeli nuk është më fizikisht mes nesh, vepra, sakrifica dhe përkushtimi i tij vazhdojnë të jetojnë në kujtesën kolektive të shqiptarëve dhe të shërbejnë si frymëzim për brezat e rinj.
Në fund të mesazhit të tij përkujtimor, Ahmeti shprehu respektin dhe mirënjohjen për jetën dhe veprën e veprimtarit të njohur.
“Lavdi jetës dhe veprës së veprimtarit dhe luftëtarit të lirisë, Gafurr Zendeli. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të”, thuhet në mesazhin e Ali Ahmetit.
