AKTUALE

Ali Ahmeti: 17 Nëntori 1994, datë e shënuar në historinë kombëtare – vendimi për emërtimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka përkujtuar 17 Nëntorin e vitit 1994, duke e cilësuar këtë datë si një moment të rëndësishëm në historinë e organizimit të luftës çlirimtare të Kosovës.

Në një mesazh për këtë përvjetor, Ahmeti rikujton se më 17 nëntor 1994, në qytetin Aarau të Zvicrës, Kryesia e Lëvizjes Popullore të Kosovës, pas një analize të situatës politike dhe kombëtare, si dhe kërkesave që vinin nga terreni, mori vendimin për emërtimin e njësive të armatosura me emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

Sipas Ahmetit, ky vendim shënoi një kthesë të rëndësishme në organizimin e luftës së armatosur çlirimtare dhe hapi një kapitull të ri në përpjekjet e popullit shqiptar për liri, dinjitet dhe të drejta kombëtare.

Ai thekson se kjo datë mbetet e veçantë për të dhe për brezin e atdhetarëve që kontribuuan në rrugëtimin drejt çlirimit të Kosovës.

Me këtë rast, Ahmeti ka shprehur respekt dhe mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në organizimin dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kujtuar në mënyrë të veçantë dëshmorët e kombit.

“Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit! Nderim dhe mirënjohje të përhershme të gjithë atyre që kontribuuan në organizimin, themelimin dhe luftën e lavdishme të UÇK-së!”, thuhet në mesazhin e Ali Ahmetit.

Ja postimi plotë:

17 NËNTOR 1994 DATË E SHËNUAR NË HISTORINË TONË KOMBËTARE

Sot, 32 vjet më parë, në Kryesinë e Lëvizjes Popullore të Kosovës, pas një analize të gjithanshme të situatës politike e kombëtare që kishim bërë dhe të kërkesave që vinin nga terreni, morrëm vendimin historik për emërtimin e njësive të armatosura me emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

Atë ditë, në qytetin Aarau të Zvicrës, mori formë zyrtare emri që më vonë u bë simbol i luftës për liri, çlirim e largim të okupatorit dhe regjimit serb nga Kosova.

Për mua dhe për gjithë brezin e atdhetarëve që jetuam, vepruam dhe sakrifikuam me idealin e çlirimit kombëtar, 17 Nëntori i vitit 1994, mbetet një datë e veçantë, me peshë të madhe historike dhe kombëtare, e lidhur pazgjidhshmërisht me rrugëtimin tonë të gjatë drejt lirisë.

Emërtimi i UÇK-së, ishte një vendim me rëndësi historike, që shënoi një kthesë të madhe në organizimin e luftës së armatosur çlirimtare dhe hapi një kapitull të ri në historinë e përpjekjeve të popullit shqiptar për liri, dinjitet dhe të drejta kombëtare.

Në këtë përvjetor, me respekt të thellë dhe mirënjohje të përhershme, kujtojmë të gjithë ata që ishin pjesë e këtij rrugëtimi të madh historik, që kontribuuan, qëndruan dhe luftuan për ta shndërruar idealin shekullor të lirisë në realitet.

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!

Nderim dhe mirënjohje të përhershme të gjithë atyre që kontribuuan në organizimin, themelimin dhe luftën e lavdishme të UÇK-së!

Banner

Related posts

“S’ka vend më të mirë për ta kuptu atdhedashurinë”, Taravari bashkë me Gashin, Mexhitin e Kasamin, vizitojnë bacën Rifat në Prekaz

Gjyla Halili

Mickoski: VLEN nuk do të marrë një resor shtesë, i njëjti person do të jetë edhe zëvendëskryeministër edhe ministër

Gjyla Halili

Çdo projekt deri te çdo qytetar – rinia e Bajram Rexhepit afër tetovarëve

Gjyla Halili