Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, ka sqaruar qëndrimin e tij lidhur me diskutimet për reformën zgjedhore dhe raportimet e fundit mediatike, duke hedhur poshtë pretendimet për kushtëzime politike.
Duke iu përgjigjur interesimit të deputetit të Lëvizjes Qytetare URA, Zoran Mikiq, lidhur me dy çështje kyçe — nëse ka pasur kushtëzime për legjislacionin zgjedhor dhe cili është qëndrimi për votimin përmes listave të hapura — Camaj theksoi se bisedimet aktuale janë vetëm vazhdimësi e marrëveshjeve të mëhershme.
„Përgjigjja ime ishte e qartë: nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë kushtëzim nga ana jonë. Ajo që po zhvillohet dhe po keqinterpretohet nga mediat janë vetëm bisedimet për realizimin e marrëveshjes së nënshkruar para tri vitesh“, deklaroi nënkryetari i Kuvendit.
Sa i përket çështjes së dytë, futjes së sistemit të votimit përmes listave të hapura, Camaj shprehu mbështetjen dhe dakordimin e tij të plotë për këtë reformë.
Ja postimi plotë:
🇦🇱
Dje, kolegu i nderuar i URA, z. Zoran Mikiq, kërkoi sqarim lidhur me dy çështje: së pari, nëse ne kemi kushtezuar lidhur me legjislacionin zgjedhor dhe, së dyti, votimi përmes listave të hapura.
Përgjigjja ime ishte e qartë: nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë kushtëzim nga ana jonë. Ajo që po zhvillohet, e po keqinterpretohet nga mediet janë vetëm bisedimet për realizimin e marrëveshjes së nënshkruar para tri vitesh.
Sa i përket çështjes së dytë, votimit përmes listave të hapura, shpreha dakordimin tim të plotë.
