Dr. Vjollca Skenderi Neziri është mjeke specialiste onkologe nga Tetova, e cila prej vitesh u shërben pacientëve të prekur nga sëmundjet e kancerit në Spitalin Klinik të Tetovës.
Çdo ditë, në ambulancën e Onkologjisë të këtij spitali, ajo ofron terapi onkologjike dhe kujdes profesional për qindra pacientë, të cilët përballen me sëmundjet kancerit në organe të ndryshme.
Dr. Vjollca i përket gjeneratës së re të mjekëve, por përkushtimi i saj ndaj profesionit dhe vendlindjes është i jashtëzakonshëm.
Ajo e do Tetovën, vendin e origjinës, dhe prej vitesh i është përkushtuar ditë e natë trajtimit dhe mbështetjes së pacientëve me sëmundje të rënda onkologjike.
Në mesin e pacientëve dhe kolegëve të saj, Dr. Vjollca gëzon respekt të veçantë. Përveç profesionalizmit, ajo vlerësohet për humanizmin, modestinë, bujarinë dhe dashamirësinë e saj. Për shumë pacientë, ajo nuk është vetëm mjeke, por edhe një mbështetje e madhe njerëzore në një nga periudhat më të vështira të jetës së tyre.
Biografia e Dr. Vjollca Skenderi Nezirit është e veçantë.
Ajo ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e shërbimit onkologjik në Spitalin Klinik të Tetovës dhe konsiderohet doktoresha e parë onkologe dhe themeluese e Repartit të Onkologjisë në këtë spital.
Dr. Vjollca Skenderi Neziri ka lindur më 8 qershor 1981 në Tetovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i ka përfunduar në Tetovë si nxënëse e dalluar. Studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës i ka përfunduar në vitin 2007, me sukses të lartë.
Specializimin në Onkologji dhe Radioterapi e ka përfunduar në vitin 2013 në Klinikën Universitare për Radioterapi dhe Onkologji në Shkup, ku ka marrë titullin mjeke specialist-onkologe.
Pas përfundimit të specializimit, në vitin 2014, ajo vazhdoi punën si mjeke onkologe në Repartin e Onkologjisë pranë Spitalit Klinik të Tetovës, ku njëkohësisht ushtron edhe detyrën e kryeshefes së repartit.
Një nga momentet më të rëndësishme në karrierën e saj ishte maji i vitit 2021, kur në Repartin e Onkologjisë të Spitalit Klinik të Tetovës, për herë të parë në historinë e këtij spitali, filloi aplikimi i terapive specifike onkologjike për trajtimin e pacientëve me kancer.
Në këtë repart filloi aplikimi i terapive si kimioterapia, terapia hormonale dhe terapia biologjike, veçanërisht për trajtimin e kancerit të gjirit, prostatës dhe kolonit. Krahas këtyre, çdo ditë ndiqen dhe trajtohen edhe pacientë me patologji të tjera onkologjike.
Sot, Reparti i Onkologjisë në Tetovë, ka një staf të kompletuar dhe me përvojë, i cili vazhdimisht punon për ngritjen profesionale dhe për përmirësimin e shërbimeve, me qëllim që pacientëve t’u ofrohet trajtimi dhe kujdesi sa më cilësor.
Përveç punës klinike, Dr. Vjollca Skenderi Neziri është e angazhuar edhe në zhvillimin e saj profesional dhe shkencor.
Ajo ka marrë pjesë në disa botime shkencore si autore dhe bashkëautore.
Formimin e saj profesional e ka pasuruar edhe përmes edukimeve dhe vizitave profesionale në qendra të njohura onkologjike, ndër të tjera në Institutin Onkologjik në Çapa të Stambollit, si dhe në Salzburg të Austrisë. Gjithashtu, ka marrë pjesë në kongrese dhe aktivitete të ndryshme profesionale në fushën e onkologjisë.
Për Dr. Vjollcën, lufta kundër kancerit nuk përfundon vetëm me trajtimin e pacientit. Ajo është e përkushtuar edhe në ngritjen e vetëdijes së grave për rëndësinë e zbulimit të hershëm të kancerit, veçanërisht të kancerit të gjirit.
Që nga viti 2014, çdo tetor, ajo merr pjesë aktive në fushatat sensibilizuese për luftën kundër kancerit të gjirit, duke mbajtur ligjërata dhe duke përcjellë mesazhe për rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe diagnostikimit të hershëm.
Dr. Vjollca Skenderi Neziri është krenaria shqiptare jo vetëm në Tetovë, por është model për gjeneratat e reja të mjekëve që duan të bëhen specialist të fushës së onkologjisë.
Autor: REXHEP ADEMI
