Në një intervistë për Top News në Shqipëri, kryetari Ahmeti hodhi një tezë të rëndësishme lidhur me verdiktin e popullit të Kosovës për dënimet e shqiptuara nga Dhomat e Specializuara të Kosovës: “Pasi vendimi i Dhomave të Specializuara u dha në emër të popullit të Kosovës, atëherë do të ishte e logjikshme që, përmes një referendumi popullor, vetë populli i Kosovës të inicojë, të organizojë dhe të deklarohet se çfarë mendon për këtë vendim dhe që epilogu i atij referendumi të jetë obligativ për Dhomat e Specializuara, të themeluara nga Kuvendi i Kosovës”, deklaroi Kryetari Ahmeti.
Ai kërkoi gjithashtu që institucionet e Republikës së Kosovës, Kuvendi dhe Qeveria, të angazhohen zyrtarisht për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së nga paraburgimi dhe, deri në vendimin përfundimtar të Apelit, që atyre t’u mundësohet qëndrimi në shtëpitë e tyre, nën garancitë e plota të Policisë dhe të shtetit të Kosovës. Sipas Ahmetit, Kosova duhet t’u drejtohet edhe shteteve që kanë mbështetur dhe financuar Dhomat e Specializuara, duke kërkuar mbështetjen e tyre për një zgjidhje të tillë.
Ahmeti theksoi gjithashtu se Presidenti i ardhshëm i Republikës së Kosovës, menjëherë pas zgjedhjes, duhet të ndërmarrë çdo veprim që i lejon rendi juridik i vendit në drejtim të faljes së tyre dhe mbrojtjes së vullnetit të qytetarëve të Kosovës.
Mes tjerash, Kryetari Ahmeti bëri apel për unitet dhe maturi, duke shprehur mbështetje të plotë për protestat popullore dhe paqësore. Ai theksoi se të gjitha subjektet politike duhet të gjejnë një formulë të përbashkët dhe të ndërtojnë një qëndrim të unifikuar për këtë çështje, duke e vendosur mbi dallimet politike interesin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës.
