Zëvendëskryeministri dhe një nga drejtuesit e Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj, ka konfirmuar se Kryesia e Forumit Shqiptar ka shqyrtuar realizimin e marrëveshjes për formimin e Qeverisë së 44-të dhe ka miratuar një përfundim lidhur me hapat e mëtejshëm.
Gjeloshaj ka bërë të ditur se është ngarkuar që ta informojë kryeministrin për disa kërkesa dhe të propozojë afate konkrete për realizimin e tyre.
Megjithatë, ai ka theksuar se dokumenti ende nuk është dërguar zyrtarisht.
“Nuk është mirë që për çështje kaq të rëndësishme të spekulohet mbi bazën e informacioneve jozyrtare. Shkresa ende nuk është dërguar zyrtarisht, prandaj është e përgjegjshme të pritet harmonizimi përfundimtar i dokumentit dhe vendimi zyrtar”, ka deklaruar Gjeloshaj.
Ai ka kundërshtuar interpretimet se bëhet fjalë për “kushtëzim” të partnerëve qeverisës, duke theksuar se marrëveshja për formimin e Qeverisë së 44-të ishte rezultat i një partneriteti.
“Paragjykimi i vendimeve dhe paraqitja e tyre si ‘kushtëzim’ nuk është gjuha me të cilën komunikoj me partnerët. Marrëveshja për formimin e Qeverisë së 44-t ishte rezultat i një marrëveshjeje partneriteti, ndaj në të njëjtën mënyrë duhet të bisedojmë edhe për realizimin e saj të mëtejshëm”, është shprehur ai.
Sipas Gjeloshajt, synimi i Forumit Shqiptar është forcimi i partneritetit dhe përcaktimi i përbashkët i dinamikës së realizimit të të gjitha pikave të marrëveshjes së nënshkruar.
“Secila prej tyre duhet të ketë një plan dhe një afat të qartë realizimi”, ka theksuar Gjeloshaj.
Ai ka bërë të ditur se pas harmonizimit përfundimtar, dokumenti do t’i dorëzohet kryeministrit, ndërsa publiku do të informohet në mënyrë të saktë dhe në kohë për përmbajtjen e tij.
Ja postimi i plotë:
Është e saktë se Kryesia e Forumit Shqiptar e ka shqyrtuar çështjen e realizimit të marrëveshjes për formimin e Qeverisë së 44-të dhe ka miratuar një përfundim, me të cilin më ka ngarkuar ta njoftoj Kryeministrin me disa kërkesa dhe të propozoj afate konkrete për realizimin e tyre.
Nuk është mirë që për çështje kaq të rëndësishme të spekulohet mbi bazën e informacioneve jozyrtare. Shkresa ende nuk është dërguar zyrtarisht, prandaj është e përgjegjshme të pritet harmonizimi përfundimtar i dokumentit dhe vendimi zyrtar.
Paragjykimi i vendimeve dhe paraqitja e tyre si “kushtëzim” nuk është gjuha me të cilën komunikoj me partnerët. Marrëveshja për formimin e Qeverisë së 44-t ishte rezultat i një marrëveshjeje partneriteti, ndaj në të njëjtën mënyrë duhet të bisedojmë edhe për realizimin e saj të mëtejshëm.
Synimi ynë është që ta forcojmë edhe më tej partneritetin dhe të përcaktojmë bashkërisht dinamikën e realizimit të të gjitha pjesëve të marrëveshjes së nënshkruar për formimin e Qeverisë së 44-t. Secila prej tyre duhet të ketë një plan dhe një afat të qartë realizimi.
Kur dokumenti të harmonizohet dhe t’i dorëzohet Kryeministrit, publiku do të njoftohet me kohë dhe në mënyrë të saktë për përmbajtjen e tij.
NGJ
