Më 18 gusht 2026, Shoqata “Penda” organizoi një veprimtari të veçantë kulturore me temën “Malësia për Fishtën”, kushtuar figurës së At’ Gjergj Fishtës – poetit, mendimtarit dhe atdhetarit të madh shqiptar.
Veprimtaria solli në vëmendje veprën dhe trashëgiminë e Fishtës, si dhe lidhjen e tij të thellë me Malësinë, duke rikujtuar rrënjët, traditat, historinë dhe vlerat kombëtare që përshkojnë krijimtarinë e tij.
Në këtë mbrëmje kulturore morën pjesë si folës Prof. dr. i asociuar Vinçens Marku, studiues, përkthyes dhe ligjërues në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”; Hoxhë magjistër Nadir Bajraktari dhe Patër Mirash Marinaj, misionar françeskan.
Fjalën në emër të Shoqatës “Penda” e mbajti kryetari i saj, Mark Junçaj, ndërsa Frano Kulli, drejtor i Shtëpisë Botuese “Fishta”, mbajti fjalën e nderit, duke vënë në pah rëndësinë e figurës së Fishtës dhe të veprës së tij për kulturën dhe identitetin shqiptar.
Pjesë e veçantë e programit ishte interpretimi i veprave të At’ Gjergj Fishtës nga Nevila Nikaj, Kristina Lulgjuraj dhe Antoneta Arapaj, të cilat sollën përpara të pranishmëve vargje dhe mesazhe nga krijimtaria e poetit të madh.
Aktiviteti u moderua nga Sidorela Berishaj.
Mbrëmja “Malësia për Fishtën” ishte një takim i bukur kulturor dhe përkujtimor, që synoi ta mbajë të gjallë kujtesën për At’ Gjergj Fishtën dhe ta afrojë veprën, mendimin dhe mesazhet e tij me brezat e sotëm.
Përmes kulturës, letërsisë dhe dialogut ndërmjet brezave, Shoqata “Penda” përcolli një mesazh të rëndësishëm për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kombëtare shqiptare.








