AKTUALE

Nik Gjeloshaj: Gjuha shqipe dhe të drejtat tona mbrohen me ligj, në çdo cep të Malit të Zi

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi për Politikë Ekonomike dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, ka reaguar lidhur me debatet për plotësimin e kushteve ligjore për njohjen e gjuhës shqipe në procesin e përzgjedhjes së drejtuesit të një institucioni arsimor.

Gjeloshaj thekson se çështja, sipas tij, nuk ka të bëjë me përkatësinë kombëtare të kandidates, por me respektimin e kushteve të përcaktuara me ligj.

“Është e pabesueshme se sa shumë po përhapet albanofobia vetëm pse kërkova respektimin e ligjit”, shprehet Gjeloshaj, duke shtuar se asnjëherë nuk është marrë me përkatësinë kombëtare të kandidates, por vetëm me atë nëse ajo i plotëson kushtet ligjore për njohjen e gjuhës shqipe.

Ai deklaron se çdo kandidat që i plotëson kushtet ligjore dhe është më i miri në proces, pavarësisht nga kombësia, do të ketë mbështetjen e tij.

“Çdo person që i plotëson kushtet ligjore dhe që është kandidati më i mirë, pa marrë parasysh kombësinë, do të ketë mbështetjen time të plotë. Një emërim i tillë askush nuk mund ta kundërshtojë”, ka theksuar ai.

Duke iu referuar parimit të shtetit qytetar, Gjeloshaj vlerëson se respektimi i ligjit dhe i rregullave të njëjta duhet të vlejë në të gjitha komunat e Malit të Zi, e jo vetëm në komunat me shumicë shqiptare.

“Mali i Zi qytetar nuk mbrohet vetëm në Ulqin, Tuz dhe Rozhajë, por në të gjitha komunat e Malit të Zi”, shprehet Gjeloshaj.

Në reagimin e tij, ai kritikon edhe institucionet, duke thënë se ato duhet të veprojnë në përputhje me ligjin dhe jo të justifikohen me të pavërteta.

Sipas dispozitës së cituar nga Gjeloshaj, në institucionet shkollore ku mësimi zhvillohet në gjuhën e popujve pakicë dhe komuniteteve të tjera kombëtare pakicë, kërkohet njohje aktive e gjuhës dhe, sipas rastit, e alfabetit përkatës. Për zgjedhjen e drejtorit të një institucioni të tillë, ligji parashikon gjithashtu marrjen e mendimit të këshillit të komunitetit përkatës.

Gjeloshaj e përmbyll reagimin me mesazhin se shteti qytetar nënkupton zbatim të barabartë të ligjit dhe të njëjtave rregulla për të gjithë, në çdo komunë të Malit të Zi.

Ja postimi plotë:

Është e pabesueshme se sa shumë po përhapet albanofobia vetëm pse kërkova respektimin e ligjit.
Asnjëherë nuk jam marrë me përkatësinë kombëtare të kandidates, por vetëm me çështjen nëse ajo e plotëson kushtin ligjor për njohjen e gjuhës shqipe.
Por për shovinistët dhe turmën e fashistëve është më e lehtë t’i ndërrojnë tezat dhe shkeljen e ligjit ta zhvendosin në terrenin e nacionalizmit.
Çdo person që i plotëson kushtet ligjore dhe që është kandidati më i mirë, pavarësisht nga kombësia, do të ketë mbështetjen time të plotë. Një emërim i tillë askush nuk mund ta kundërshtojë.
Kështu mbrohet Mali i Zi qytetar nga shovinistët dhe fashistët. Por Mali i Zi qytetar nuk mbrohet vetëm në Ulqin, Tuz dhe Rozhajë, por në të gjitha komunat e Malit të Zi.
Është për të ardhur keq që institucionet nuk veprojnë në përputhje me ligjin, por përpiqen të justifikohen me të pavërteta.
Shteti qytetar do të thotë i njëjti ligj dhe të njëjtat rregulla për të gjithë, në çdo komunë.

NGJ

Neni 18
Veprimtarinë edukative dhe arsimore në institucionet shkollore ose në departamentet e veçanta të shkollave të rregullta, ku mësimi zhvillohet në gjuhën e popujve pakicë dhe të komuniteteve të tjera kombëtare pakicë, e kryejnë mësuesit nga radhët e atij populli pakicë dhe të komuniteteve të tjera kombëtare pakicë, të cilët kanë njohuri aktive të gjuhës së popujve pakicë dhe të komuniteteve të tjera kombëtare pakicë, përkatësisht mësuesit që nuk janë nga radhët e popujve përkatës pakicë dhe komuniteteve të tjera kombëtare pakicë, por që kanë njohuri aktive të gjuhës dhe alfabetit të këtyre popujve dhe komuniteteve.
Drejtori i institucionit shkollor të themeluar nga Mali i Zi ose komuna, ku mësimi zhvillohet në gjuhën dhe alfabetin e popujve pakicë dhe komuniteteve të tjera kombëtare pakicë, i cili i plotëson kushtet nga paragrafi 1 i këtij neni, zgjidhet në përputhje me ligjin.
Organi kompetent i administratës shtetërore është i detyruar që, para zgjedhjes së personit nga paragrafi 2 i këtij neni, të marrë mendimin e Këshillit të këtyre popujve pakicë dhe komuniteteve të tjera kombëtare pakicë.

Banner

Related posts

Angellovska-Bezhoska: Përfshirja financiare e grave, faktor kyç për progresin ekonomik

Gjyla Halili

Deputetja e BDI-së, Dijana Toska, demanton shkrimet e pavërteta në disa media

Gjyla Halili

SHBA-ja e kthen vëmendjen edhe një hërë te Marrëveshja Kornizë e Ohrit dhe e Prespës❗️

Gjyla Halili